Lajmet e fundit
Përveç bagazhit fotografik, Shala e ka lënë pas vetes edhe një moto të cilën e ka përdorur shpesh: “Mos harroni me jetu” - thoshte ai për t’ua kujtuar miqve se jeta është e bukur.

Fillimisht ai ndau me publikun përjetime nga rinia e tij, duke treguar se sa e vështirë ka qenë në atë kohë ushtrimi i profesionit të fotografit.
“Teknologjia tani ua mundëson shumë njerëzve të bëhen fotografë dhe të eksplorojnë mundësitë e një aparati që secili e ka në gjepin e tij – privilegj ky që nuk e kemi pasur ne”.
“Unë e kam pasur fatin që fillova të punoj si zanatli; mirëpo ndërkohë fillova ta zhvilloj edhe artin e fotografisë dhe të punoj në atë drejtim. Dikur i kishim ato aparate shumë të mëdha, kemi punuar me negativë, të shkosh në terren ta bësh një fotografi dhe e nuk dije se çfarë ke bërë deri sa nuk e ke zhvilluar atë negativ”.
“Sot këto as që mendohet si vështirësi. Të rinjtë kanë mundësi të mëdha që të bëhen edhe fotografë të mëdhenj. Unë i inkurajoj të gjithë që të fillojnë të merren me këtë punë”.
Pastaj, ai tregon se ka tre dekada që merret me fotografi dhe se janë disa zhanre që i ka për qejf siç është abstraktja.
Madje, në formë shakaje ai bën krahasimin se si askush nuk pyet për veprat abstrakte të piktort modern Wassily Kandinsky, por shumëkush e pyet atë se çfarë nënkupton zhanri abstrakt në fotografi.
“Ka 30 vjet që unë merrem me fotografi. Janë disa zhanre që i kam për qejfi siç është abstraktja”.
“Dikush mendon se procesi i punimit të fotografisë bardh e zi është proces i lehtë, por është proces shumë i vështirë”.
Tutje, ai tregon se si fotografi i mirënjohur Gjon Mili ka qenë inspirim i jashtëzakonshëm për të.
“Gjon Mili ka qenë një inspirim i jashtëzakonshëm, është një gjeni që sot e kësaj ditë admirohet nga qarqet botërore të fotografisë artistike. Ai ka qenë një poet i lëvizjes”.
Për ta nderuar jetë dhe veprën e fotografit shqiptar me renome botërore, Shala u bë bashkëthemelues i konkursit të parë të artit fotografik në Kosovë “Çmimi Gjon Mili” në vitin 2001.
Lajmin për vdekjen e Shalës, e ka përjetuar rëndë edhe profesori i fotografisë Fahredin Spahija.
Spahija e cilëson punën e Shalës si thesar të përhershëm i asaj që quhet “fotografia bashkëkohore shqiptare”.
“Naim Shala konsiderohet ndër fotografët e parë shqiptarë të Kosovës që e ka kultivuar artin fotografik pa e ngatërruar atë me fotografinë komerciale të cilën e bënte për ta fituar bukën e gojës. Naimi po ashtu, është bashkëthemeluesi i konkursit të parë të artit fotografik tek ne, ‘Çmimi Gjon Mili’ (2001). Fotografitë abstrakte të tij në teknikën bardh e zi të mbizotëruara me vlera grafike e me kontrast të thellë si dhe cikli i fotografive analoge i krijuar prej tij me aparatin ikonik 'Holga', do të mbetet thesar i përhershëm i asaj që quhet ‘fotografia bashkëkohore shqiptare".
Përveç bagazhit fotografik, Shala e ka lënë pas vetes edhe një moto të cilën e ka përdorur shpesh: “Mos harroni me jetu” - thoshte ai për t’ua kujtuar miqve se jeta është e bukur.
Për t’u informuar më shumë rreth jetës dhe veprës së Naim Shalës, ndiqeni intervistën e tij të realizuar në Klan Kosova.