Britania po përpiqet të deportojë për të tretën herë një diler droge shqiptar pasi u burgos.
Ronaldo Zani është kthyer disa herë fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se është deportuar dy herë për të qenë pjesë e një bande kriminale shqiptare.
26-vjeçari u deportua fillimisht në vitin 2019 pasi u gjet duke shitur kokainë, por u kthye muaj më vonë dhe u tha klientëve të tij: “Jam kthyer në punë”, raporton “The Telegraph”, transmeton Klankosova.tv.
Ai u kap më vonë në posedim të rreth 5 mijë eurove, 24 gr kokainë, tre telefona “njëpërdorimësh”, si dhe peshore, lista marrëveshjesh dhe një kartë identiteti të rreme greke.
Ronaldo Zani pranoi se po merrej me drogë për të shlyer një borxh prej mbi 17 mijë e 500 euro ndaj bandës së kontrabanduesve të njerëzve që e ndihmoi të kthehej në Mbretëri të Bashkuar.
Ai u deportua për herë të dytë në maj 2021 pasi u dënua me tre vjet burg. Por më 13 shkurt të këtij viti, një oficer policie e identifikoi atë duke drejtuar një Mercedes në Bournemouth.
Shtetasi shqiptar u ndalua dhe gjatë kontrollit ndaj tij u mbi 2000 euro para të gatshme dhe 24,75 gr kokainë, e cila do të kishte një vlerë në rrugë deri rreth 3 mijë euro.
Zani u tha autoriteteve se ai hyri në MB “disa muaj më parë” duke u fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Ai tha se fillimisht ishte punësuar si punëtor, por nuk fitonte mjaftueshëm për të shlyer kontrabandistët e tij dhe kështu filloi të punonte si korrier droge.
Megjithatë, gjykatësi tha se ai “nuk kishte dhembshuri të vërtetë” për Zanin pasi ai e dinte se në çfarë po futej duke u kthyer ilegalisht në MB.
Duke e burgosur Zanin për katër vjet në Gjykatën Mbretërore të Bournemouth, gjyqtari Richard Fuller tha se priste që ai të dëbohej përsëri.
“Ju keni hyrë ilegalisht në vend duke e ditur se ose keni qenë në borxh ndaj atyre që po ju fusnin në pjesën e prapme të një kamioni ose do të ishit në borxh ndaj një grupi të krimit të organizuar”.
“Vendi është i mbushur me grupe kriminale shqiptare dhe me bindjet tuaja të mëparshme do të kishit qenë plotësisht i vetëdijshëm se në çfarë po futeni”.
“Nuk mund të ketë dhembshuri të vërtetë për ju që merrni drejtimin për të punuar për dilerët e drogës. Me dënimin tuaj, kam marrë parasysh që pa dyshim që do të dëboheni”, u shpreh ai.
Zani pranoi se kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pa leje hyrjeje të vlefshme, se posedonte pronë kriminale dhe kokainë me qëllim furnizimin dhe drejtimin e automjetit pa patentë ose sigurim.
Jonathan Rees, avokati i tij, tha se “Z. Zani kërkoi të kthehej në Britaninë e Madhe për të punuar si punëtor në ndërtim dhe u kthye disa muaj para arrestimit të tij”.
Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha: “Shtetasit e huaj që kryejnë krime të tmerrshme nuk duhet të kenë asnjë dyshim se ne do të bëjmë gjithçka për t'u siguruar që ata të mos jenë të lirë në rrugët e Britanisë, duke përfshirë largimin nga Mbretëria e Bashkuar sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Që nga zgjedhjet ne kemi hequr 3,594 kriminelë të huaj, një rritje prej 16 për qind në të njëjtën periudhë të 12 muajve më parë”, ka thënë ky zëdhënës. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.