Janë bërë gati tri javë prej kur Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës po e furnizojnë donatorët me material shpenzues për dializë.
Duke qenë kështu, ka edhe telashe, sikur ndodhi mëngjesin e së hënës kur pacientët që kryejnë hemodializën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Trimave, sinjalizuan se acetatet dhe bikarbonatet erdhën me vonesë.
Mungesë thonë se ka edhe të antikoagulanteve, siç është fraxiparina.
Klan Kosova kishte raportuar ekskluzivisht me 3 korrik se QKUK, spitalet rajonale dhe njësitë tjera po funksionojnë pa rezerva e stok të numëruar të këtyre produkteve jetike.
Ndonëse asnjë pacient nuk ka mbetur pa marrë trajtimin për dializë deri më tani, situata me mungesën e rezervave po u shkakton stres të shtuar profesionistëve shëndetësorë, sipas burimeve të televizionit.
Neglizhencën në lidhje me këtë çështje nuk e kuptojnë as familjarët e pacientëve.
Përkundër kësaj situate të krijuar, ShSKUK tek të premten e ka hapur tenderin emergjent për blerjen e materialit shpenzues. Operatorët ekonomikë patën afat t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri mesditën e së hënës.
Vlera e kësaj kontrate është afro 500 mijë euro. Operatori fitues është i detyruar që ta bëjë shpërndarjen e këtyre produkteve brenda pesë dite nga dita e urdhër blerjes.
https://www.youtube.com/watch?v=rZoI6Y6VdDQ
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.