Shuma e cila u nda për këtë projekt është rreth 3 milionë euro dhe ky projekt do të fillojë sivjet dhe do të zhvillohet me dy faza, bëri të ditur ministri i kulturës, Kujtim Shala.
“Faza e parë e cila do të fillojë sivjet ne llogarisim që maksimalisht të kushtojë rreth 1 milion e 700 mijë euro dhe më pastaj është pjesa tjetër rreth 1 milion e 300 mijë euro. Unë besojë se kjo është një praktikë e mirë që të konkretizojmë bashkëpunimin që kemi me Komunën e Prishtinës, të cilën e kemi zhvilluar gjatë këtyre muajve”, deklaroi ministri Shala.
“Është përfolur shpeshherë për rëndësinë e investimit në stadiumin e qytetit. Është e rëndësishme që të kemi një stadium që i plotëson të gjitha kriteret para pranimit të futbollit në mekanizmat ndërkombëtar, duke u rinovuar në tërësi infrastruktura e këtij stadiumi si dhe ndërtimi i shtegut të atletikës”, tha kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti,thuhet në kumtesën e Komunës së Prishtinës, transmeton Klan Kosova.
Gjithashtu, kryetari Ahmeti dhe ministri Shala thanë se do të bashkëpunojnë edhe në projekte të tjera të rëndësishme kulturore dhe sportive, siç është “Teatri i Operës dhe Baletit”, “Salla Universale”, “Pishina Olimpike”, etj.
●●●
AFSHKRIMI NGA
Arbër Fetahu
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.