Në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja. Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres, transmeton abc News.
Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare. Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës. Në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, Engel ia dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të, Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin.
Rituali i ngritjes së flamurit amerikan mbi ndërtesën e Kapitolit është një traditë e filluar nga Kongresi amerikan 78 vjet më parë, për të nderuar ngjarje historike dhe individë të shquar, së fundi, mes tyre, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. / klankosova.tv
●●●
KMSHKRIMI NGA
Kreshnik Mustafa
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.