Gratë në Gjermani humbasin shumë më shumë të ardhura pas lindjes së fëmijës së parë sesa mendohej më parë, sipas një studimi të bërë nga Qendra Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) në bashkëpunim me Universitetin Tilburg në Holandë.
Studimi tregon se në vitin e katërt pas lindjes, nënat fitojnë mesatarisht rreth 30 mijë euro më pak se gratë e njëjta moshe pa fëmijë. Më parë, vlerësimet ishin rreth 20 mijë euro, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Humbjet ndryshojnë në varësi të moshës kur një grua bëhet nënë për herë të parë. Gratë që bëhen nën 30 vjeç humbasin jo vetëm të ardhura, por edhe mundësi të rëndësishme për avancim në karrierë gjatë fazës së hershme të punësimit.
“Nënat që lindin më vonë kanë kaluar tashmë fazën e rritjes së pagës dhe janë të vendosura në tregun e punës, prandaj humbjet absolute janë më të mëdha për shkak të uljes së orëve të punës. Megjithatë, për ta është më e lehtë të rikthehen në karrierë pas lindjes”, thotë Lukas Riedel, bashkautor i studimit.
Studimi u bazua te 186 mijë nëna dhe evidenton diferencën e madhe të pagave midis grave me dhe pa fëmijë në Gjermani.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.