Ministria e Shëndetësisë ka filluar nga sot me aktivitetin “Karvani i vaksinimit”.
Ky aktivitet, i nisur në Fushë-Kosovë, do të zgjasë një muaj me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër COVID-19 dhe rritjes së numrit të vaksinuarve kundër këtyre dy sëmundjeve, transmeton klankosova.tv.
Qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër COVID-19 edhe me dozat bivalente përforcuese.
''Ky aktivitet synon që të ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të COVID-19 ka filluar të rritet. Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës, ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti'', ka informuar MSh.
Objektivat e “Karvanit të vaksinimit” janë:
- Inkurajimi i qytetarëve për vaksinimit kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik;
- Sigurimi që vaksinimi kundër Gripit sezonal dhe COVID-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe;
- Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për të adresuar pengesat në procesin e vaksinimit.
Gjatë “Karvanit të vaksinimit”, përveç vaksinës kundër gripit sezonal, qytetarët do të mund të vaksinohen edhe me dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky aktivitet i MSH-së do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës./Klankosova.tv/
●●●
SSHKRIMI NGA
S.K.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.