Sallat e edukatës fizike nuk e plotësojnë asnjë standard për zhvillimin e aktiviteteve fizike në shkollat e kryeqytetit. Kështu tha Jeton Nebiu, sekretar i përgjithshëm i federatës së sportit shkollor në Republikën e Kosovës dhe njëherësh edhe profesor i edukatës fizike në Gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Në emisionin e kryeqytetit “ Ju flet Prishtina” ai u shpreh se nxënësit janë ata që po e pësojnë për shkak të sallave jo të përshtatshme: “Edhe sa nxënës duhet t’i thyejnë këmbët derisa të rregullohet diçka”.
Nebiu po ashtu e ftoi drejtoreshën e arsimit, Arbërie Nagavci, që ta vizitojë shkollën dhe t’i sheh për së afërmi kushtet në cilat po zhvillohet ora e mësimit të edukatës fizike, njofton Klan Kosova.
Por Nagavci tha se është e njoftuar me gjendjen e sallave dhe se ka qenë disa herë edhe në shkollën “Xhevdet Doda”, por sipas saj këto salla janë ndërtuar nga pushteti i kaluar.
Nagavci deklaroi se është duke u punuar në përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e sporteve të ndryshme, si në sporte kolektive ashtu edhe në ato individuale.
Sipas saj, drejtoria e arsimit ka furnizuar nëntë salla të edukatës fizike më pajisjet më të mira dhe janë rinovuar shumë terrene sportive në oborret e shkollave të Prishtinës.
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.