Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar për një kolaps humanitar në Kubë, nëse vendi mbetet pa furnizime energjie, pasi Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bllokojnë çdo dërgesë nafte drejt ishullit dhe kanë kërcënuar me tarifa shtetet që e ndihmojnë.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur Kuba po përballet me mungesë të thellë karburanti, duke shkaktuar ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe transportit, përfshirë edhe në kryeqytetin Havana, raporton “Al Jazeera”, transmeton Klankosova.tv.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se situata humanitare do të përkeqësohet ndjeshëm nëse nevojat për naftë nuk plotësohen, duke rikujtuar thirrjet e vazhdueshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për heqjen e embargos amerikane ndaj Kubës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me tarifa ndaj çdo vendi që furnizon Kubën me naftë, duke shkaktuar shqetësim veçanërisht në Meksikë, e cila aktualisht është furnizuesi kryesor i ishullit.
Autoritetet kubane e kanë cilësuar këtë veprim si përpjekje për mbytje ekonomike të vendit. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.