Në kuadër të muajit rozë për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, të mërkurën presidentja Vjosa Osmani vizitoi Klinikën e Onkologjisë, ku ndihmoi me një donacion me proteza silikoni të gjoksit.
Shefja e shtetit tha se ky donacion si simbolikë do rritet edhe më shumë nga viti i ardhshëm me mbulueshmëri më të madhe.
Megjithatë, ajo dha edhe një mesazh kur bëhet fjalë për investimet në shëndetësi.
"Kur pacientët vijnë këtu, nuk ankohen që s'ka asfalt, kështu që kjo le të jetë një mesazh për të gjithë ata që në fundvit vendosin se çkafit duhet t’i jepet përparësi sa i përket buxhetit shtetëror", deklaroi presidentja Vjosa Osmani.
Sipas saj, nuk ka zhvillim ekonomik pa arsim e shëndetësi, teksa potencoi se kjo e fundit duhet të jetë prioritet mbi prioritete.
E para e vendit premtoi ndryshime urgjente në Ligjin e Prokurimit në mënyrë që të mos bllokohet furnizimi i ilaçeve esenciale për pacientët, dhe theksoi përkushtimin për ndërtimin e një ndërtesë të re të Onkologjisë për Kimioterapi dhe atë të Kujdesit Paliativ.
Pos protezave prej silikoni, 100 sosh të dhuruara nga presidenca përmes shoqatës JETA-VITA, u dhuruan edhe paruke si donacion nga UNFPA.
Nga ShSKUK u premtua se këto aksesorë të rëndësishëm të bëhen të rregullt karshi trajtimit për gratë e prekura nga kanceri.
Pothuajse çdo vit raportohen 400 raste të reja me kancer të gjirit në vend.
https://www.youtube.com/watch?v=_qibjQRgyQU
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.