Një banor që thotë se vjen nga Lagja e Boshnjakëve, ka dërguar në redaksinë e Klankosova.tv disa pamje nga incidenti që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes.
Aty shihen të mbledhur një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, por edhe forca policore.
Policia e ka konfirmuar incidentin ndërsa ka thënë se gjithçka ka nisur si pasojë e vendosjes së një letre ngjitëse (stikersi) në një përmendore, raporton Klankosova.tv.
Përmendorja i përket një ish-ushtari të UÇK-së të rënë në vitin 2000 po në atë lokacion.
Ndonëse nuk dihet se kush e ka vendosur atë letër ngjitëse, situata është tensionuar për një kohë, ndërsa grupi i qytetarëve që sipas Policisë ka qenë në rreth 10 veta, ua kanë shpuar gomat dy veturave të gjendura aty pranë.
Për këtë rast, policia tha se janë dërguar katër persona në stacion policor për t’u marrë në pyetje.
Ndërkaq, qytetari që i ka dërguar pamjet, e i cili thotë se ka qenë edhe ushtar në UÇK, ka pretenduar se banorët shqiptarë janë provokuar nga disa serbë të cilët, sipas tij, i kanë ngritur nga tre gishta dhe kanë përdorur fjalë fyese e sharje në drejtim të shqiptarëve.
Gjithnjë sipas tij, në ato momente qytetarët shqiptarë janë grupuar dhe kanë dalë me armë të ftohta.
Ndër të tjera, ky qytetar ka thënë se përmendorja në të cilën është vendosur letra ngjitëse, para pak muajsh është dëmtuar me çekan, por se është rregulluar sërish.
Letra ngjitëse, ai po thotë se është konsideruar si provokim nga qytetarët shqiptarë.
Ai pati një kërkesë për institucionet e rendit dhe ligjit që të ofrojnë më shumë siguri për qytetarët shqiptarë në këtë pjesë të vendit.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, nuk saktësoi se të cilit nacionalitet janë personat që janë intervistuar në polici.
Lagjja e Boshnjakëve gjendet në Mitrovicë të Veriut dhe është lagje multietnike. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/shorts/tYrwkFyC09g
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.