Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji shoferit të autobusit, B.M., që u kap të premten në rajonin e Prishtinës duke transportuar nga Shqipëria 120 kg drogë të llojit marihuanë në autobusin që po e drejtonte.
I pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.K., më datën 21.11.2025, me autobusin me targa …, ka transportuar substancë narkotike nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, me qëllim që substanca narkotike të dërgohet në vendet ndryshme evropiane. I pandehuri është ndaluar me autobusin të cilin po e drejtonte, në të cilin, nën karrige kishte bunkerë të modifikuar ku janë gjetur qese najloni të cilat ishin të mbushura me substancë narkotike që dyshohet se është marihuanë dhe me peshë të përgjithshme rreth 120kg”, u tha në njoftimin e Sistemit Prokurorial.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, sipas njoftimit, u tha se gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të pengojë rrjedhën e hetimeve, në rastin konkret duke komunikuar me bashkëkryerësit tjerë, krejt kjo me qëllim që i pandehuri t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Gjykata gjithashtu vlerësoi se “nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të vazhdojë me kryerjen e veprave penale apo të përfundojë këtë vepër penale me narkotikë të tjerë, duke pasur parasysh përfitimet e mëdha që sjellin këto veprime të kundërligjshme”, tha Prokuroria. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.