Parku i lagjes Ulpiana të kryeqytetit, nuk po mirëmbahet nga ndërmarrja “Hortikultura”. Në gjendje të ngjashme janë edhe hapësira të tjera të gjelbra në Prishtinë.
Puna dhe shërbimi, sipas ndërmarrjes, është ndërprerë për shkak të pagesave jo të rregullta nga ana e Komunës e edhe buxhetit të vogël të planifikuar, raporton "Ju Flet Prishtina".
“Buxheti për dallim nga vitet tjera për vitin 2023 është zvogëluar për 40 %, gjë që është e pamundur të zbatohen të gjitha shërbimet në sipërfaqe gjelbëruese në qytet me atë shumë. Ndërmarrja ende nuk ka pranuar pagesën e plotë të muajit prill 2023 dhe shuma e cila komuna i detyrohet ndërmarrjes, duke përfshirë muajin qershor kalon shumën e 300 mijë euro”, bëri të ditur Ard Azemi, zyrtar ligjor në NPL “Hortikultura”.
Por borxhin e mohon drejtoresha e Parqeve, Donika Çetta.
“Sa i përket faturave ne i kemi deleguar në Drejtorinë e Financave dhe pritet që së shpejti të bëhen pagesat. Në momentin që e dërgon pagesën 'Hortikultura' ne e delegojmë te Drejtoria e Financave”, tha Çetta.
Nga Drejtoria e Financave, udhëheqësja Valbona Makolli, tha përmes telefonit se pagesat e të gjitha faturave të dërguara janë kryer, dhe ka mbetur vetëm një e muajit qershor, e cila pritet të paguhet në fillim të korrikut.
E derisa fajin për këtë gjendje nuk e merr as Komuna e as Hortikultura, kryeqytetasit po kërkojnë mirëmbajtje të hapësirave të gjelbra.
“Ju flet Prishtina” kishte raportuar gjatë majit për vonesa në mirëmbajte e kositje jo të mirë të barit, për të cilat nga ndërmarrja kishin pohuar se janë si pasojë e motit me shi e makinerisë së dëmtuar. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://www.youtube.com/watch?v=UZYP8GJSja8
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.