Ekipi Olimpik i xhudos do ta nis vitin me Mastersin e Dohas së Katarit, që mbahet prej 11 deri më 13 janar.
Pesë garuesit tanë që ndodhen brenda normës Olimpike Tokyo 2020 , Majlinda Kelmendi (-52 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg) do të synojnë ta nisin 2021-tën me medalje dhe njëkohësisht të shtojnë në 'kontot' e tyre pikë të reja Olimpike, të cilat iu ndihmojnë edhe për renditje më të mirë para Olimpiadës së Tokios.
Në Mastersin e Dohas marrin pjesë vetëm garuesit e renditur në top 30-she në kategori, që tregon se shumica e xhudistëve do të jenë pjesëmarrës edhe në Lojërat Olimpike "Tokio 2020".
Kampionia Olimpike, Kelmendi, që rikthehet në gara pas 14 muajsh, garon nesër bashkë me Distrian dhe Noran.
"Dy herë kampionia e botës, Kelmendi, në raundin e parë takohet me rumunen, Andrea Chitu, derisa Gjakova e Krasniqi, raundin e parë e kalojnë pa luftë.Akilin në tatamin e Dohas do ta shohim të martën, ku përballë do të ketë Somon Makhmadbekov të Taxhikistanit. Loriana lufton të mërkurën ndërsa në raundin e parë takohet me Sarah Myriam Mazouz të Gabonit. KOK iu uron fat dhe suksese xhudistëve tanë", njofton Komiteti Olimpik i Kosovës përcjell Klan Kosova.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.