Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se pas takimit që do ta ketë të premten me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, gjatë javëve në vijim do të takohet edhe me presidentin rus, Vladimir Putin në Hungari.
Trumpi tha se me Putinin do të takohen për të parë mundësinë e përfundimit të luftës “së turpshme” midis Rusisë dhe Ukrainës, teksa shtoi se me Zelenskyn do ta diskutojnë bisedën e sotme që presidenti amerikan e pati me Putinin.
"Presidenti Putin dhe unë do të takohemi më pas në një vend të rënë dakord, Budapest, Hungari, për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë 'të turpshme' midis Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Zelensky dhe unë do të takohemi nesër në Zyrën Ovale, ku do të diskutojmë bisedën time me Presidentin Putin dhe shumë gjëra të tjera. Besoj se u arrit përparim i madh gjatë bisedës telefonike të ditës së sotme", shkroi Trumpi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se me Putinin sot kishin një bisedë të gjatë mbi tregtinë ShBA-Rusi, por nuk e përmendi fare çështjen e furnizimit të Ukrainës me armë të avancuara, siç janë raketat Tomawahk, që është një nga arsyet kryesore pse Zelensky do të udhëtojë për në Uashington.
Marrja e raketave Tomahawk është një prioritet i lartë për Zelenskyyn, pasi këto armë të sofistikuara mund të godasin shumë më tej se Moska dhe mund të ndryshojnë aftësinë e Ukrainës për të goditur jo vetëm infrastrukturën ushtarake të Rusisë, por edhe industrinë e saj të naftës, e cila financon kryesisht luftën e saj.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.