Partia Socialiste në Shqipëri hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.
Me një skenë ku në qendër ishin 12 yje që simbolizojnë 12 yjet e flamurit të BE-së, eventi elektoral nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, shoqëruar me performancën me këngë e valle tradicionale.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “kemi shansin historik që të hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Evropën”.
Në fjalën e mbajtur në çelje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se “për përfaqësuesit e popullit socialist dhe progresist të Shqipërisë nis e përpjeta e fundit drejt Evropës dhe fundi i historisë sonë jashtë saj”.
Kryeministri shqiptar theksoi se “përpara nesh është vetëm një datë, 11 maji, e afërt sa 30 mëngjese dhe pas saj është vetëm 1 mandat, i gjatë sa 4 vjet, për ta fituar bastin historik me Evropën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Evropën”.
Ai u shpreh se “sot na ka zgjedhur ne fati për t’i dhënë shtysën e fundit gurit të pavarësisë, lirisë, barazisë para ligjit duke mos e lënë më të rrokulliset teposhtë si guri i Sizifit, por duke e vendosur njëherë e mirë në këndin e ndërtesës evropiane, aty ku së bashku do të ngjisim edhe flamurin më të bukur në botë”.
“Nuk ka në Ballkan një shembull të dytë si arbërori, shqiptari, që në shekuj të pasosur rraskapitës të jetë ngulur si një asket në majë të një shkëmbi për t’i mbijetuar gjithçkaje dhe gjithkujt shpesh kundër çdo parashikimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk ka në Ballkan një komb tjetër më të njehsuar me ndjenjën e përkatësisë ndaj Ecropë, sesa ky komb e ky popull”.
“Asaj Evrope, ku siç e shkruanin rilindasit mbi flamurin e profecisë sonë kombëtare, dielli lind andej nga perëndon. Duke u dhënë e tëra pikërisht asaj Evrope dhe duke u ndjerë e saja në të gjithë tërësinë e vetë, paçka se në sa shumë e shumë kohëra Evropa nuk e ndjeu të sajën, Arbëria, Shqipëria ka mundur të fshehë brenda vetes në shekuj thelbin e vetë perëndimor, ta ruajë atë përgjatë çdo persekutimi apo prapakthimi e arratisje drejt Lindjes, ta nxjerrë atë të gjallë nga izolimi më i egër që ka njohur bota komuniste dhe ta kthejë atë në fuqinë më të pandalshme të ribashkimit të vet me Evropën”, tha Rama. /atsh/klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.