Lajmet e fundit

Sot bëhen dy vite nga 7 Tetori 2023, dita kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke shkaktuar një prej tragjedive më të mëdha në historinë moderne të rajonit.
Gazetari i Sky News, Adam Parsons, sjell dy histori të dhimbshme nga të dyja anët e kufirit, një nga kibuci Nir Oz në Izrael, dhe një tjetër nga Rripi i Gazës.
Rita Lifshitz rikthehet çdo javë në kibucin Nir Oz, për të pirë një birrë pranë shtëpisë së vjehrrit të saj, Oded Lifshitz, një nga 117 banorët që u vranë nga Hamas më 7 tetor 2023. Odedi dhe bashkëshortja e tij Yocheved, të dy në të 80-at, ishin vullnetarë që ndihmonin palestinezët e sëmurë të shkonin në spitale izraelite për kurim.
"Çdo fundjavë vinim këtu dhe pinim një birrë. Ai ishte psikologu im për 500 ditë," thotë Rita me sytë drejt tavolinës ku dikur bisedonin.
Tashmë, kjo hapësirë është e rrethuar nga rrënoja, gjurmë gjaku dhe kujtime të një sulmi brutal që vrau, rrëmbeu dhe shkatërroi jetën e qindra njerëzve.
Nga ana tjetër e kufirit, vetëm pak kilometra larg kibucit Nir Oz, jetonte Sabah, një grua palestineze nga Khan Younis. Ajo thotë se që nga fillimi i sulmeve izraelite pas 7 tetorit, është zhvendosur plot 13 herë.
Shtëpia e saj dikur ishte një banesë e madhe familjare, vendi ku ndjehej e sigurt. Tani, ajo është shkatërruar nga zjarri dhe bombardimet.
"Më thanë se shtëpia ime ishte gjëja e parë që u dogj. Flaka zgjati tre ditë. Pastaj erdhi një automjet i blinduar dhe e hodhën në erë," tregon Sabah.
Sabah beson se dhimbja e saj nuk nisi më 7 tetor. "Kjo histori ka nisur shumë më herët. Gjyshi im, babai im, të gjithë kanë jetuar nën pushtim. Ne jemi një popull i shtypur."
Ndërsa dy gra,Rita dhe Sabah, jetojnë realitete të ndryshme, ato ndajnë një dhimbje të përbashkët: humbjen, pasigurinë dhe traumën që vazhdon të rëndojë mbi ta.