Situata u acarua në veri të Kosovës, mbrëmjen e 31 korrikut.
Në pak orë, qeveria pritej të niste planin e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet. Serbët e kësaj ane bllokuan rrugët me barrikada.
Mediat, përfshirë ato të huaja, raportuan për një mundësi të madhe eskalimi, në pjesën më të nxehtë të vendit.
Situata u qetësua kur ambasadori amerikan kërkoi shtyrje të këtij vendimi për një muaj.
Por, ishte një tjetër zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara që në njëfarë forme tensionoi raportet në një pjesë tjetër të botës.
Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Tajpei nxiti zemërimin e Kinës, e cila si përgjigje nisi manovra të rrepta ushtarake pranë ujërave të Tajvanit. Amerikania tha se kurrkush në Pekin nuk ia cakton agjendën asaj.
Fillimi i gushtit erdhi me një tjetër situatë krize, kur Armenia e Azerbajxhani prishën marrëveshjen e paqes për rajonin e Nagorno Karabakut, të ndërmjetësuar nga Moska, një vit më parë. Palët hodhën bomba kundër njëra-tjetrës, ku mbetën të vrarë tre ushtarë nga dy vendet.
Luftimet u kthyen edhe në Lindjen e Mesme, kur forcat izraelite nisën sulmet në Gaza, pas kërcënimeve të organizatës militante Xhihadi Islamik Palestinez se do ta sulmojë shtetin hebre. Telashet vazhduan edhe të martën, kur në Nablus u vranë tre arabë, pavarësisht se një armëpushim u arrit falë ndërmjetësimit të Egjiptit dhe Hamasit.
Në Ukrainë, ndërkaq, konflikti u përshkallëzua pas intensifikimit të luftës në një zonë të rrezikshme, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë, Zaporizhjas.
https://www.youtube.com/watch?v=7sGPn7yGpHc
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.