Agjencia Evropiane e Policisë (Europol), ka njoftuar se më 12 nëntor 2025 ka mbështetur një hetim të udhëhequr nga Gjermania që synonte një grup mercenarësh të punësuar nga një rrjet kriminal për të rrëmbyer udhëheqësin e një bande rivale shqiptare të trafikimit të drogës.
Operacioni përfshinte autoritete ligjzbatuese nga Danimarka, Franca, Letonia dhe Mbretëria e Bashkuar, raporton Klankosova.tv.
Siç njofton Europol, veprimi i koordinuar u përqendrua te shtetasit letonezë, disa prej të cilëve me një përvojë në Legjionin e Huaj Francez.
“Këta individë të trajnuar në nivel të lartë ishin të pajisur me pajisje profesionale dhe ishin aktivë në emër të një grupi të krimit të organizuar. Ata u kontraktuan për të rrëmbyer udhëheqësin e një rrjeti shqiptar të trafikimit të drogës, i cili dyshohet se ka orkestruar vjedhjen e disa ton kanabis me vlerë miliona euro”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Evropiane të Policisë, e cila nuk dha emrin e kreut të kërij grupi.
Njoftimi bën me dije se në ditën e aksionit, katër individë u arrestuan në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, të cilët ishin arrestuar në tetor 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykata.
“Europol luajti një rol vendimtar duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit, duke siguruar koordinim operativ dhe duke ofruar mbështetje analitike. Në ditën e aksionit, Europol dërgoi një ekspert në Nisë të Francës, për të lehtësuar shkëmbimin në kohë reale të informacionit dhe për të verifikuar informacionin operativ me bazat e të dhënave të Europolit, duke u ofruar pista të menjëhershme hetuesve në terren”, theksoi më tej kjo agjenci ligjzbatuese.
Mercenarë me pagesë
Ky operacion është i lidhur me fenomenin “Dhuna si Shërbim”, në të cilin autorët ofrojnë shërbimet e tyre për të kryer akte të dhunshme në emër të sindikatave të tjera kriminale.
Në këtë rast të veçantë, Europol thotë se specialistë të trajnuar mirë punësohen nga grupet e krimit të organizuar për të kryer akte të dhunshme.
“Ky ‘modus operandi’ zbulohet gjithnjë e më shumë në operacione të ndryshme të lidhura me krimin e rëndë dhe të organizuar. Hetimi i aktiviteteve të autorëve nënvizon nivelin e lartë të këtij shërbimi, pasi shpesh përfshin përdorimin e ish-anëtarëve të forcave speciale”, thotë Europol.
Disa nga të dyshuarit në këtë rast, sipas Agjencisë Evropiane të Policisë, janë ish-ushtarë të Legjionit të Huaj Francez.
Europol thotë se kjo përfaqëson një trend alarmues që del nga lufta në Ukrainë.
“Ish-ushtarët e trajnuar në luftë, që kthehen nga fronti, mund të përdorin aftësitë e tyre për krimin e organizuar, duke paraqitur një kërcënim potencial. Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet pas saj, Evropa mund të përballet me një numër në rritje të këtyre individëve të trajnuar mirë që angazhohen në aktivitete kriminale. Është thelbësore të monitorohet ky zhvillim dhe të përgatitet për sfidat e mundshme të sigurisë që paraqet”, u tha në njoftimin e Europol-it. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.