Më 6 maj, Federata e Shenjtarisë së Kosovës, kumtoi lajmin e pranimit në Federatën Botërore të Shenjtarisë.
Ani pse me të drejta të kufizuara, ky vendim e shton edhe një sport olimpik në listën e garave ku Kosova përfaqësohet si shtet.
Ali Pllana, kryetar i Federatës së Shenjtarisë të Kosovës, tregoi për Klan Kosovën rrugëtimin për arritjen e këtij suksesi.
“Ne kemi konkurruar edhe kur ishim nën protektorat, si edhe në vitet 2008 e 2010. Por, pasi Komiteti Olimpik nuk ishte i pranuar dhe nuk kishim ulëse në OKB, aplikacioni nuk na u pranua.
Pas pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik, aplikuam sërish më 25 nëntor 2014. Nga data 29 nëntor deri më 1 dhjetor mbahej Asambleja e Përgjithshme, por për shkak të kohës së pamjaftueshme aplikacioni ynë mbeti pa u proceduar".
"Për këtë arsye, Federata Botërore e Shenjtarisë e ka shqyrtuar këtë muaj kërkesën tonë dhe ajo është aprovuar më datën katër të këtij muaji.“.
Pllana tha se megjithë pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të kufizuara, nuk do të ketë asnjë kufizim për garimin e qitësve kosovarë.
“Nuk do të ketë kufizime në gara. Vendimi definitiv që nuk mund të mos merret, do të jepet më shtatë ose tetë shtator.”
Pllana gjithashtu tha se ky vendim do ta ndihmojë shumë sportin e shenjtarisë. Sipas tij, përfaqësimi i Kosovës në nivel ndërkombëtar do të jetë i denjë.
“Ne kemi tre sportisë që janë të nivelit ndërkombëtar - dy në qitje me pistoletë dhe një në qitje me pushkë. Që të tre në gara lokale me qitësit e Shqipërisë i tejkalojnë normat minimale olimpike”.
Federata e Shenjtarisë së Kosovës nën ombrellën e saj ka 13 klube me rreth 800 garues. Kampionë në disiplinat përkatëse janë Urata e Lumturije Rama, si dhe Nexhat Sahiti.
klankosova.tv
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.