Laura Poitras ka shndërruar veten në ndërgjegjje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me filma inovativ për okupimin e Irakut, survejimin teknologjik dhe së fundi epideminë e opioideve. Ajo krenohet ta quajë veten si ngatërrestare.
"Mendoj se është e rëndësishme të dokumentohen historitë e përpjekjeve", thotë regjisorja Poitras për AFP gjatë vizitës në Paris për të promovuar filmin dokumentar të saj të fundit "All the Beauty and the Bloodshed", përcjell Klankosova.tv.
Ky dokumentar, i cili fitoi "Ariun e Artë" në Venedik dhe është i nominuar po ashtu edhe për "Oscar", rrëfen për historinë e fotografes së njohur Nan Goldin dhe luftën e saj për të turpëruar familjen Sackler, e cila është pronare e firmës farmaceutike të ilaçit qetësues Oxycontin, që fajësohet për vdekjen e qindëra mijëra njerëzve.
Duke filluar nga filmi fitues i çmimit Oscar "Citizenfour" për Edward Snowden deri te filmi "Risk" për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange dhe "My Country, My Country" për pushtimin amerikan të Irakut, ajo i sheh të gjitha filmat e saj si "pasqyrë e pushtetit dhe qeverisë amerikane".
Për rastin e filmit të tij të ri ajo thotë se "kemi një kompani dhe një familje që kanë promovuar një ilaç që i ka bërë njerëzit e varur dhe ka shkaktuar overdoza masive, kurse qeveria nuk ka bërë asgjë dhe kishte evidencë që kjo shkonte deri dy dekada prapa që po vriste njerëzit", tha ajo.
Edhe pse ajo ishte nervoze për të ndarë detajet për jetën traumatike të Goldin dhe ishte një proces më pak shqetësues se puna e saj në filmin "Citizenfour".
"Kjo ishte më shumë një bashkëpunim sesa lidhja ime me Edward Snowden. Në të dyja rastet kishte përgjegjësi të madhe...por me Snowden unë pothuajse kisha jetën e tij në duart e mia. Nëse do të bëja një gabim, ai mund të burgosej ose më keq", tha Poitras.
E lindur në një familje të pasur në Boston, ishte koha pas sulmeve të 11 shtatorit që ngriti karrierën e saj.
"Duke parë këtë lloj të dominimit global dhe pushtimit dhe torturës dhe 'vendeve të zeza' --këto gjëra ishin mizore dhe u ndjeva se duhej t'i përgjigjesha kësaj. Gazetaria e mirë duhet të jetë ngatërrestare. Gazetaria e keqe është të kesh qasje në pushtet...ata njerëz nuk janë në të vërtetë ngatërrestarë", thotë Poitras.
Megjithatë, portreti i saj për Assange në dokumentarin "Risk" (2017) ishte larg nga cilësimi i përgjithshem pozitiv dhe ajo e konsideron përpjekjet për ta ekstraduar atë në SHBA si "kërcënimin më të madh në gazetari sot".
"Jam fajtore për shkeljen e Aktit të Spiunazhit. Mirëpo, nëse doni ta shënjoni Julian, atëherë duhet të shënjoni secilin që ka raportuar për sigurinë kombëtare dhe ka ekspozuar dokumentet. Njerëzit kanë qenë aq të heshtur për rastin e tij. Evropa duhet t'i japë azil", shtoi ajo.
Në pyetjen se a mendon që administrata e Biden po e vëzhgon, ajo thotë se kjo pyetje është për qeverinë.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS●●●
SSHKRIMI NGA
S.K.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.