Dy djem dhe katër vajza u lindën së bashku nga një nënë polake në qytetin Krakow.
Nëna Klaudia Marzec u befasua, ngase priste “vetëm” pesënjakë.
“Në shtëpinë tonë i bëmë përgatitjet logjistike për pesë fëmijë, prandaj tash do të duhet të bëjmë ndryshime”.
Fëmijët quhen Filip, Tymon, Zofia, Kaja, Nela dhe Malwina.
“Që nga mëngjesi i hershëm ishim të gatshëm ta ndihmonim ardhjen në jetë të pesë qytetarëve të vegjël. Jemi në sallën e operacionit, pesë ekipe mjekësh bëhen gati për pesë fëmijë. Bebet vijnë në jetë njëra pas tjetrës. Papritmas - vjen edhe e gjashta”, deklaron Ryszard Lauterbach, shef i neonatologjisë në Spitalin Universitar në Krakow.
Foshnjat u lindën në javën e 29-të, por janë në gjendje shumë të mirë. Ato do të shkojnë në shtëpi kur t’i bëjnë 2 muaj e gjysmë.
Babai Szymon Marzec u shpreh se gjashtënjakët së shpejti do ta njoftojnë vëllanë e madh Oliwier, i cili sapo ka filluar të ecë, njofton Klan Kosova.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kuriozitete dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.