Opinionisti Dukagjin Gorani, në emisionin Rubikon, kur po flitet për figurën e Rexhep Qosjes, ka deklaruar se si Qosja ashtu edhe Ismail Kadare kanë pasur qasje të ndryshme, por të vlefshme, në raport me identitetin shqiptar.
“Mendoj që të dy ata [Qosja e Kadare] e kanë pasur mirë në mënyrën e vet. Meqenëse një pjesë e popullatave shqiptare të asaj kohe ka qenë e ndikuar identitarisht nga qytetërimi perëndimor. Një pjesë tjetër e popullatave shqiptare hala të paformuara si komb ka qenë patjetër e ndikuar prej Perandorisë Osmane”, tha ai.
Gorani theksoi se, pavarësisht dallimeve, këta intelektualë ndajnë një pikë të përbashkët: rrënjët e identitetit shqiptar lidhen me idetë e iluminizmit.
“Sikur Qosja ashtu edhe Kadare edhe të tjerët, besoj që pajtohen në një send: që projekti i shqiptarizmës apo projekti i identitetit shqiptar, rrënjët e veta i ka saktësisht tek ideja e madhe e iluminizmit”, tha Gorani në Rubikon.
Duke u ndalur te letra e fundit e Qosjes, Gorani e cilësoi atë si një trajtesë përfundimtare dhe të sinqertë, në të cilën reflektohet mënyra e tij e të menduarit.
“Në letrën e tij, që unë e marr si trajtesën e tij përfundimtare e sinqertë, aty ti i sheh gjurmët e të menduarit të tij organik, e ajo është që Qosja e shfaqe veten si fëmijë i iluminizmit”, tha Gorani. /Klankosova.tv
●●●
KG
SHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.