Lajmet e fundit

Me armë nuk është parë ndonjëherë, por disa të tilla politikani serb nga veriu i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, dyshohet se i fshihte në pronën e tij, në fshatin Vallaq të Zveçanit.
Ato iu gjetën dhe iu konfiskuan nga policia gjatë një bastisjeje më 22 qershor. Vetë Arsenijeviq iku në Serbi, ku thuhet se po jeton në një banesë që ia ka ofruar shumëkërkuari Milan Radoiçiq, njofton Klankosova.tv.
Jo një betejë ligjore, por një politike, mund ta shtyjë atë të rikthehet në Kosovë. Klan Kosova mëson se ky politikan ka hyrë në garë për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut, duke udhëhequr listën e partisë që vetë e ka themeluar, “Demokracia Serbe”.
Kur u pyet se si do ta zhvillojë fushatën dhe nëse fiton, a do të kthehet në Kosovë, Arsenijeviq nuk dha përgjigje. As bashkëpartiaku i tij, Stefan Veljkoviq, nuk zbuloi ndonjë detaj.
Institucionet paralajmërojnë se Arsenijeviq do të arrestohet menjëherë sapo të shkelë tokën e Kosovës. I kërkuari ka deklaruar se do të kthehet vetëm nëse i sigurohet një gjykim i drejtë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me këtë deklaratë Arsenijeviq po përpiqet të ndërtojë një imazh të rremë.
Arsenijeviq është arrestuar disa herë për shkak të protestave dhe kundërshtimeve ndaj vizitave të liderëve shtetërorë të Kosovës në veri. Në një rast, ai pengoi punimet te ura e Ibrit.
Para se të futej në politikë, i arratisuri – për lirimin e të cilit u mbajtën protesta nga serbët – ishte aktiv në shoqërinë civile.
33-vjeçari kishte synuar të kandidonte në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri, përmes iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”, por u tërhoq, ashtu si të gjitha subjektet tjera serbe.
Në vitin 2021, KQZ kishte refuzuar kandidaturën e tij për kryetar komune për shkak të një rasti gjyqësor në të cilin Arsenijeviq ishte shpallur fajtor.
Ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës, ai mori 2,105 vota. /Klankosova.tv