Policia gjyqësore e Portugalisë (PJ) ka sekuestruar mbi 80 mijë litra GBL, e njohur si “droga e përdhunimit”, gjatë një operacioni të madh antidrogë në rajonin e Alentejos.
Operacioni “Gama”, i zhvilluar nga Njësia Kombëtare për Luftimin e Trafikut të Drogës, çoi në zbulimin e 82 mijë litrave gamma-butirolakton (GBL) të ruajtura në kontejnerë të mëdhenj dhe shishe më të vogla, raporton media portugeze “portugalresident”, transmeton Klankosova.tv.
U sekuestruan gjithashtu qindra shishe bosh të etiketuara dhe etiketa ngjitëse për ta maskuar substancën si produkte pastrimi.
Hetimi kishte nisur në nëntor 2025, pas bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe në koordinim me Autoritetin Tatimor dhe Doganor. Sipas PJ-së, të dyshuarit, shtetas portugezë dhe të huaj, kishin blerë kompani të licencuara për tregti kimikatesh dhe, me dokumente të falsifikuara, kishin dërguar mijëra litra GBL në tregje të paligjshme.
GBL shitet ligjërisht online, por kur konsumohet ka efekte të ngjashme me GHB-në, një drogë e ndaluar në Portugali, duke vepruar si depresant i fuqishëm i sistemit nervor qendror. Substanca njihet si “droga e përdhunimit” për shkak të efekteve psikoaktive që shkakton.
Europol ka paralajmëruar se trafiku i drogës është një nga kërcënimet kryesore për sigurinë evropiane. Hetimi është në vazhdim. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.