Arriti, për herë të parë, në Kosovë, andaj Gianni Infantinon Agim Ademi e priti me përqafime.
Kreu kosovar i futbollit i uroi mirëseardhje njeriut më të rëndësishëm të këtij sporti në botë, por edhe më meritorin, që e arsyetoi pranimin e Kosovës në FIFA, 6 vjet më parë. E vendi i parë që e vizitoi mysafiri është stadiumi 'Fadil Vokrri' si dhe shtatorja e legjendarit, ku përveç nga Ademi, u shoqërua edhe nga dy kryetarët shqiptarë të federatave të futbollit, ai i Shqipërisë, Armand Duka, dhe i Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdin.
Destinacioni tjetër ishte presidenca, ku mysafiri për Vjosa Osmanin dhuroi numrin 10 si dhe topin zyrtar të botërorit me emrin e saj në të. Dhuratë pati edhe nga presidentja, madje nga vendlindja e saj, hartën e Kosovës me gurë nga Mitrovica.
Qendërsulmues e bëri kryeministrin Kurti më pas, pasi ia dha numrin 9. E kur në dorë e mori topin me emrin në të, ky i fundit e ngacmoi opozitën se mund ta godasin atë top aty ku Kurti e ka emrin.
Duarthatë nuk e la as kryeministri, duke ia dhuruar librin e Skënderbeut.
Agjenda e italianit që ka lindur në Zvicër ishte e ngjeshur të premten, ku në konak i shkoi edhe ministrit të sportit, Çeku, si dhe të parit të kryeqytetit, Përparim Rama, i cili ia dhuroi çelësin e qytetit. Ndërsa mysafiri i tregoi të parit të Prishtinës që e njeh më herët, pasi i tha mirë se u ktheve nga Anglia në Prishtinë.
Pasdite, vazhdoi edhe për tek objekti i federatës, ku po e prisnin shumë gazetarë. Mysafirit i shtruan tepih të kuq dhe e pritën ngrohtësisht, e më pas doli të flasë duke shprehur nderin dhe kënaqësinë që është në Kosovë, ndërsa foli edhe për projektet që mendon t’i realizojë bashkë me federatën kosovare, duke përmendur edhe stadiumin nacional.
Kjo është vizita më e rëndësishme që ndonjëherë i është bërë Kosovës nga drejtues ndërkombëtarë të futbollit.
https://www.youtube.com/watch?v=XVihWeGd8oM&ab_channel=KlanKosova
●●●
ESSHKRIMI NGA
Emanuell Syla
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.