Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të marrë në konsideratë rifillimin e takimeve mes familjeve të ndara nga Lufta Koreane (1950–1953), si një hap drejt bashkëpunimit humanitar mes dy vendeve.
Gjatë një takimi me qytetarë jugkoreanë që kanë familjarë në Veri, në prag të festës tradicionale të Chuseok (Festa e Falënderimeve në Korenë e Jugut), presidenti Lee tha se lehtësimi i tensioneve dhe kthimi i bashkëpunimit mes dy Koreve është thelbësor për çështje humanitare, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
“Është përgjegjësi politike dhe njerëzore që dy Koretë të lejojnë komunikimin dhe shkëmbimin e letrave mes familjeve të ndara”, u shpreh Lee gjatë vizitës në një ishull kufitar me Korenë e Veriut.
Sipas Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, rreth 36,000 qytetarë jugkoreanë kanë kërkuar nga qeveria që t’u mundësohet ribashkimi me të afërmit e tyre që ndodhen në Veri.
Takimet e fundit mes familjeve të ndara u mbajtën në gusht të vitit 2018, por që atëherë janë ndalur për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve ndërkoreane.
Apeli i presidentit vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Seulit dhe Phenianit mbeten të tensionuara, ndërsa shkëmbimet diplomatike dhe humanitare janë pothuajse të ngrira. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.