Yjet tanë i keni parë duke nxituar se kush po kapë data më shumë për sezonën e verës si në “klube”, ashtu edhe për dasma. Por rrallë e për mall i keni parë duke derdhur djersë si më 11 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
I madh e i vogël u mblodhën që të shohin nga afër spektaklin, ngase e tillë ishte kjo ndeshje mes ekipit të Edon Zhegrovës dhe Milot Rashicës.
Ishin menduar disa emra të artistëve që do performonin për t’i shtuar adrenalinë e tifozllëk kësaj ndeshje, por vetëm Gili ishte e pranishme.
Ajo i dha ngjyrë më gazmore atmosferës në momentin që këndoi këngën e saj legjendare për Prishtinën.
U hap porta dhe yjet dolën në fushë. I gjithë ky organizim ishte bërë me një qëllim të vetëm, të gjithë bashkë për fëmijët me Sindrom Down.
Kishte edhe shumë prej emrave të estradës që ishin paralajmëruar e që nuk dolën në fushë, por ishin të pranishëm në tribunë për ta parë nga afër këtë ndeshje. Gheto Geasy, Ermal Fejzullahu, Meda, Capital T, e yjet e Big Brother VIP Kosova si: Drenusha, Ana e Kevini. Disa në këtë fushë erdhën për hatër të eventit e shoqërisë e disa të tjerë për ndonjë “story” në Instagram.
Kjo ndeshje u transmetua në Klan Kosova dhe në kanalin Sport 1 të platformës më të madhe televizive në vend Art Motion. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.