Aktorja indiane dhe ambasadorja e vullnetit të mirë të Kombeve të Bashkuara, Priyanka Chopra po përballet me kritika për revoltën e saj publike karshi vdekjes së iranianes Mahsa Amini, por të njëjtën gjë nuk e bën për gratë nga vendlindja e saj, India.
Javën e kaluar, ylli 40-vjeçar i Bollywood-it, e cila tani ndodhet në Shtetet e Bashkuara, postoi mbështetjen e saj për protestat në Iranin me shumicë myslimane, duke thënë se ajo është pro ndaj grave që luftojnë kundër qeverisë atje, shkruan Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.
“Zërat që flasin pas shekujsh heshtjeje të detyruar, me të drejtë do të shpërthejnë si vullkan! Dhe ata nuk do dhe nuk duhet të pengohen”, ka shkruar ajo në Instagram, ku numëron më shumë se 82 milionë ndjekës.
Kritikët, megjithatë, e kanë akuzuar Chopran për “furmë selektive” dhe “standarde të dyfishta” duke mos folur në emër të grave muslimane të Indisë, të cilat po ashtu janë përballur me sulme për veshjen e hixhabit.
Nabiya Khan është vetëm një prej tyre, e cila është poete dhe aktiviste me qendër në kryeqytetin Nju Delhi, ka thënë se priste që një personazh i famshëm indian të fliste për persekutimin e pakicave në vendin e saj.
“Ata kanë përgjegjësinë dhe zërin për të folur, por zgjedhin të shikojnë nga ana tjetër. Personat e famshëm indianë janë shumë të shpejtë për të komentuar çdo gjë që ndodh jashtë vendit, e cila është e drejtë, nëse ata nuk do të kishin mbyllur një sy ndaj asaj që po ndodh në Indi”, tha ajo.
Khan tha se mijëra gra muslimane në shtetin jugor të Karnatakës nuk janë në gjendje të ndjekin shkolla dhe kolegje për shkak të ndalimit të mbajtjes së hixhabit në institucionet arsimore nga qeveria e krahut të djathtë hindu, e cila "ka nxjerrë jashtë ligjit besimin e tyre".
“Disi nuk i bie në sy Priyanka Chopra, e cila është e ashtuquajtura kampione e fuqizimit të grave”, përfundoi ajo.
Pas vdekjes së 22-vjeçares Amini pasi ajo ishte arrestuar për “hixhab të pahijshëm”, mijëra gra iraniane dolën në rrugë, duke denoncuar autoritetet iraniane dhe duke prerë flokët në shenjë solidariteti.
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek prive dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.