Projektligjet e propozuara nga MZHE-ja janë në harmoni me legjislacionin e BE-së dhe përmbushin obligimet ndaj Komunitetit Evropian të Energjisë.
Kështu u vlerësua në dëgjimin publik, të organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri që është kryesuar nga Muhamet Mustafa.
Në këtë takim është diskutuar për një pako të gjerë projektligjesh nga fusha e energjisë në të cilën bënë pjesë: Projektligji për energjinë, Projektligji për Gazin Natyrorë, Projektligji për rregullatorin e energjisë dhe Projektligji për energjinë elektrike.
Mustafa tha se projektligjet do të ndikojnë në furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike, me një çmim të përballueshëm për qytetarët, transmeton Klan Kosova.
Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), foli Sabit Gashi, i cili vuri në dukje se nisma për hartimin e këtyre projektligjeve, daton që nga viti 2013.
Ai më pas qartësoi se projektligjet dalin edhe si obligim ndaj Komunitetit Evropian të Energjisë, me qëllim të krijimit të infrastrukturës ligjore, për t’iu përshtatur tregut të energjisë.
Objektivat, të cilat synohet që të arrihen përmes këtyre projektligjeve janë: sigurimi i një Transmisioni të pavarur energjetik, rregullatorë të pavarur të energjisë elektrike, si dhe sigurimi i tregut të hapur.
Në emër të Institutit, INDEP, foli Dardan Abazi i cili paraqiti vërejtjet dhe rekomandimet lidhur me projektligjet, u angazhua dhe rekomandoi po ashtu, që Ministria përkatëse, të hartojë edhe Projektligjin për efiçiencën e energjisë elektrike.
Në favor të projektligjeve, duke paraqitur vërejtje më shumë të natyrës teknike, u shpreh edhe përfaqësuesi i KOST-it, Visar Hoxha, si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mentor Morina.
Pas kësaj, fjalën e mori Ali Hamiti, ekspert fushës, i angazhuar nga komisioni.
Ai tha se Kosova ka më së shumti ligje në rajon që rregullon sektorin e energjisë, ndërkaq, projektligjet e propozuara nga MZHE-ja, i vlerësoi të përshtatshme për rregullimin adekuat të lëmenjve të kësaj fushe. Në vijim, ai po ashtu paraqiti edhe rekomandimet e tija, të cilat, së bashku me të tjerat që dolën nga debati, do të shqyrtohen nga grupi punues.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.