Një protestë e planifikuar kundër presidentit amerikan Donald Trump ka filluar në New York, e para nga më shumë se 2,500 tubime të organizuara nga njëri bregdet në tjetrin në të gjithë ShBA-në, të shtunën.
Mijëra njerëz kanë mbushur tashmë sheshin “Times Square” për eventin e organizuar nga “No Kings”, një koalicion grupesh me prirje të majta.
Demonstratat në qershor tërhoqën mbi pesë milionë njerëz në të gjithë vendin dhe ishin kryesisht paqësore.
Aleatët e Trumpit kanë akuzuar protestuesit se janë aleatë me lëvizjen e ekstremit të majtë Antifa dhe kanë dënuar atë që e quajtën "tubimi i urrejtjes ndaj Amerikës".
Guvernatorët republikanë në disa shtete amerikane kanë vendosur trupat e Gardës Kombëtare në gatishmëri, por nuk është e qartë se sa do të jetë prania ushtarake.
Protestat pritet të vazhdojnë në të gjithë vendin gjatë gjithë ditës. Në Washington DC, senatori i Vermontit, Bernie Sanders, pritet të jetë një nga folësit kryesorë, me ngjarjet që fillojnë rreth mesditës sipas orës lokale.
Organizatorët e protestës thonë se tubimi do të sfidojë "autoritarizmin" e Trump.
"Presidenti mendon se sundimi i tij është absolut", thonë ata në faqen e tyre të internetit.
"Por në Amerikë, ne nuk kemi mbretër dhe nuk do të tërhiqemi përballë kaosit, korrupsionit dhe mizorisë."
Në të gjithë Evropën, protestuesit kanë dalë në rrugët e Berlinit, Madridit dhe Romës për të treguar solidaritet me homologët e tyre amerikanë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.