Partia Socialdemokrate mbajti një aksion tek kisha ortodokse serbe që ndodhet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, në derën e së cilës aktivistët e kësaj partie shkruan: "Simboli i shovinizmit bëhet faltore, Bekoi: Albin Kurti”.
Gjatë ditës së djeshme brenda kësaj kishe, e cila është në kontekst pronësor me UP-në, serbët mbajtën liturgji kishtare.
Pas këtij aktiviteti, Zgjim Hyseni i kësaj partie u prononcua për media, duke thënë se dje në mes të ditës e para hundëve të krejt institucioneve u mbajt liturgjia dhe se simbolin e shovinizmit duan ta bëjnë faltore.
“Jemi këtu për një deklaratë: simboli i shovinizmit nuk mund të jetë shtëpi e zotit”, deklaroi ai.
Para kësaj kishe ai u shpreh se nëse është e vërtetë se siç janë shprehur institucionet tona që nuk e kanë ditur për zhvillimin e djeshëm në këtë kishë, atëherë sipas tij i bie që ky është një dështim i madh.
“Ministri i Brendshëm duhet të jap dorëheqje, AKI duhet të përgjigjet gjithashtu. Kosova qenka krejt e pasigurt nën udhëheqjen e tyre”, deklaroi Hyseni.
“Të gjithë duhet ta dinë se ky objekt është ndërtuar nën masa të dhunshme duke uzurpuar hapësirën e universitetit. Ky objekt për shumicën dërmuese të njerëzve është simbol segregimi, është kujtimi i një projekti për asimilimin e shqiptarëve të Kosovës”.
“Ky objekt, bashkë me kohën e ndërtimit dhe vendndodhjen e tij është muze që na kujton çdo ditë se deri në çfarë hataje mund të shkojë përdorimi politik i religjionit”, shtoi Hyseni i PSD-së.
Megjithatë, sipas kësaj partie, ngjarja e djeshme duket të jetë vetëm fillimi i një procesi dhe se rreziku që na pret është përfshirja e këtij objekti në dialogun që po fillon.
“Bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur e të mbyllur në qendër të Prishtinës. Kjo nuk është rruga e bashkëjetesës dhe se do të ketë mobilizim qytetar, dhe ndalimi i një gjëje të tillë është në shërbim të paqes”.
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.