Situatën pandemike me COVID-19, po e krahason me atë të luftës.
Prandaj , kryeministri Avdullah Hoti të mërkurën prezantoi masa të reja me të cilat po synon të luftojë përhapjen e virusit tek qytetarët.
Masat e prezantuara nga kryeministri do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: Zona e Kuqe me rrezikshmëri të lartë, Zona e Verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe Zona e Gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Në Zonën e Kuqe bëjnë pjesë 10 komuna si: Prishtina, Podujeva, Gjakova, Peja, Gjilani, Ferizaji, Mitrovica Jugore, Obiliqi, Shtimja dhe Fushë Kosova.
Aktiviteti ekonomik në to lejohet deri në ora 19:00. Pas orës 19:00 vendoset orë policore dhe kufizohet lëvizja e qytetarëve.
Në Zonën e Gjelbër ku aktualisht janë: Istogu, Malisheva, Rahoveci, Skenderaj dhe Dragashi. operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 20:00. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
https://youtu.be/Ihs77ESpm5k
Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.
E sa i përket arsimit, shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojnë mësimin sipas planit me të cilin po punohet deri më tani, kurse institucionet e arsimit të lartë procesin mësimor do ta vazhdojnë vetëm online.
Gjatë kësaj konference kreu i ekzekutivit tha se është rregulluar edhe çështja e transportit dhe e organizimit të punëtorëve nëpër institucionet publike dhe ato private.
Bizneset që nuk respektojnë masat sipas kreut të ekzekutivit do të mbyllen për tre muaj, derisa institucionet dhe operatorët e tjerë do të gjobiten sipas ligjit për parandalimin dhe Luftimin e pandemisë në territorin e Kosovës.
Masat të cilat i paralajmëroi Hoti ishte planifikuar që të shkojnë për miratim në Qeverinë e Kosovës të mërkurën në ora 15:00, porse ky takim online nisi rreth dy orë me vonesë, për siç u tha nga zyra për informim e qeverisë për shkaqe teknike e administrative.
Vendimi i qeverisë me masat e reja antikovid pritet të bëhet publik të mërkurën pas orës 21:00.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.