22:21 - Rama i habitur me vendimin e ARBK-së për Klan Kosovën: E pabesueshme, nuk ka mundësi! (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i habitur me vendimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve për t’ia pezulluar licencën e biznesit Klan Kosovës.
Ai ka thënë se është e pabesueshme një lëvizje e tillë.
“As nuk e kam besuar se mund të jetë e vërtetë. Nuk besoj që është e vërtetë. Ju po shpifni!”, ka shtuar Rama duke shprehur habinë.
“Nuk ka mundësi që Qeveria e Kosovës ta mbyllë Klan Kosovën. Nuk është e mundur”.
Ai ka shprehur besimin e tij se Klan Kosova do të vazhdojë së funksionuari.
“Nëse ju është pezulluar licenca e biznesit, duhet ta falënderoni se ua ka rritur audiencën. Kam shumë besim që do të bëjmë intervista përsëri”, është shprehur ai. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/Omgo1ppEfHs
22:28 - Rama për Procesin e Berlinit: Në takimin informal e ftoj edhe Albinin (VIDEO)
Kosova është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian si pasojë e situatës së tensionuar në pjesën veriore të vendit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në Rubikon të Klan Kosovës tha se Tirana do të jetë nikoqire e Procesit të Berlinit në tetor.
Ai tha se Kosovën, edhe përkundër masave, do ta ftojë si pjesë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në një takim informal para samitit në tetor.
“Unë nuk e imagjinoj dot që Kosova të mos jetë palë, të mos jetë një nga 6 vendet në tetor, s’e imagjinoj dot, kurrë. Dhe jo vetëm kaq. Por megjithëse është bërë kjo puna e masave, dhe çdo ditë del një entitet që thotë se po e ndërpresim… mbas kësaj vizite dy-ditore, kam parashikuar të bëj një takim informal në Tiranë në fillim të javës midis 17 dhe 18 korrikut, me Brukselin për të folur për këtë, dhe ua kam bërë të qartë: nëse takimi informal do të mbahet në Tiranë, unë s’e bëj me 5, por me gjashtë, kështu që Albini është i ftuar në Tiranë, i bëj ftesë zyrtare dhe jo me WhatsApp, por edhe me WhatsApp, të vijë në Tiranë të marri pjesë në proces. Natyrisht që më vjen keq që nuk u takuam se do të jetë i painformuar se për çfarë po flasim, por do të mundohem ta informoj atje paraprakisht”, deklaroi Rama.
Ai tha se dëshiron që Procesi i Berlinit në Tiranë në tetor të jetë një samit “që do të lërë gjurmë për të ardhmen duke sjellë më shumë mbështetje financiare ekonomike për të gjithë Ballkanin, përfshirë dhe Kosovën”. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/FsFr9Y4Dyl4
22:18 - Rama e quan Lulzim Hetemin Oso Kuka: Për një plesht po digjet jorgani (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur edhe për rezistencën që po bën kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, i cili ka më shumë se një muaj që është mbyllur në komunë.
Ai e quajti Hetemin “Oso Kuka”.
Rama tha në Rubikon në Klan Kosova se tani kanë mbetur dy rrugë.
“Për një plesht të digjet i gjithë jorgani që thotë fjala, ose të bëjmë gjërat që na takojnë”, tha Rama.
“Dalja me sukses në këtë proces me një marrëveshje e lartëson kombin shqiptar. Ndërsa kjo që ndodh sot e ulë kombin shqiptar”, theksoi ai. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/SVlkxyZcFxw
22:13 - Rama: Nuk e godas Kurtin, e kam mik – s’pajtohem me politikën e tij
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se politika në Prishtinë ka bërë që Serbia të duket si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare.
“Tragjike! Serbia ka dalë nga ekrani. Duket sikur është viktimë. Para botës ata nuk janë viktima”, është shprehur Rama në Rubikon të Klan Kosova.
“Kush e ka përgjegjësinë për këtë? Nuk e ka bërë këtë një lëvizje inteligjente e Serbisë. Kjo është vepër e Prishtinës. I është dhënë Serbisë pozicion komod dhe këtu qeveria merr rrufetë e planetit”.
Rama ka theksuar se nuk ka asgjë personale me kryeministrin kosovar, Kurti, por që nuk pajtohet me politikën që ai po bën së fundmi.
“Kjo politikë është bërë pengesë, politika e gabuar, nuk e kam fare me personin. Nuk e godas kryeministrin Kurti. Unë mbaj qëndrim ndaj politikës së caktuar. Nuk kam asgjë personale. E kam mik dhe është njeri me të cilin debatoj me kënaqësi”, ka shtuar ai, duke ironizuar me shprehjen e Kurtit se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.
22:05 - Rama: Për një plesht po digjet jorgani (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur edhe për rezistencën që po bën kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, i cili ka më shumë se një muaj që është mbyllur në komunë.
Ai e quajti Hetemin "Oso Kuka".
Rama tha në Rubikon në Klan Kosova se tani kanë mbetur dy rrugë.
"Për një plesht të digjet i gjithë jorgani që thotë fjala, ose të bëjmë gjërat që na takojnë", tha Rama.
"Dalja me sukses në këtë proces me një marrëveshje e lartëson kombin shqiptar. Ndërsa kjo që ndodh sot e ulë kombin shqiptar", theksoi ai.
https://www.youtube.com/watch?v=SVlkxyZcFxw&t=1s
______________________________________________________________________________________________________
22:00 - Rama: Të luftojmë për njohje de-facto apo për Oso Kukën? (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova sot është në një moment të pashpjegueshëm, duke thënë se vendi duhet të fokusohet tek mundësia që i është dhënë.
Sipas tij, për sa kohë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është brenda Kushtetutës së kosovës, nuk parashikon asnjë lloji të nivelit të tretë të pushtetit.
Por, ai tha se kjo është thjesht një organizim që i jep mundësi serbëve të Kosovës mundësi të vetmenaxhohen e të marrin ca fonde.
“Se ne duam t’i çojmë fonde shqiptarëve në Preshevë, siç i ka çuar Qeveria e Kosovës, kurse fakti që do të marrin këto komunat serbe fonde, na shqetëson”, tha Rama në një intervistë ekskluzive në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, Rama tha se tash po bëhet fjalë për të bërë një zgjedhje të qartë strategjike që të mbyllet kapitulli me Serbinë.
“Ndërkohë që, këtu bëhet fjalë për të bërë një zgjedhje të qartë strategjike dhe duhet të mbarojmë këtë fazë të historisë me atë që Albini e quan me të drejtë njohje de-facto, apo duam të luftojmë me të gjithë botën për Oson”.
“O për Oso Kukën atje që të mos dorëzohet duke ndenjur brenda, i vetëvendosur me policinë që e ruan dhe për atë plesht të digjet i gjithë jorgani, apo ne të bëjmë gjerat që na takojnë dhe ta lartësojmë kombin shqiptar”, tha Rama, njofton Klankosova.tv.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://www.youtube.com/watch?v=SVlkxyZcFxw&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fklankosova.tv%2F&source_ve_path=MjM4NTE&feature=emb_title
21:52 - Rama për draft-statutin: Konjufca s’e ka lexuar – si mund ta komentojë?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë e kanë shkruar ekspertë të nivelit të lartë.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se nuk është konsultuar me askënd nga qeveria e Kosovës për këtë dokument të cilin thotë se e ka dërguar te tre persona: te kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron dhe te presidenti i KiE-së, Michel.
“Draft statuti nuk është konsultuar me asnjë sepse nuk ka pse të konsultohet. Unë nuk kam bërë studion ligjore të qeverisë së Kosovës. Ajo e ka ekspertët e vet, mundësitë e veta, mund ta kishte bërë me kohë dhe duhet ta kishte bërë me kohë, dhe jo vetëm që duhet ta kishte bërë me kohë, por duhet t’i rrinte te dera gjatë gjithë kohës partnerëve dhe aleatëve dhe t’u thoshte, mendojmë kështu, mendojmë ashtu, sepse është në interesin tonë. Pashë, më treguan që Glauku kishte thënë se ka autonomi... nuk e di për çka e ka fjalën, sepse ne nuk folëm fare për draft të Asociacionit. Në dokumentin që ata se kanë lexuar! Këta s’e kanë lexuar! Ku e dinë këta? Apo më shohin mua në portret dhe më lexojnë si në filxhan? Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë, dhe unë ia kam dërguar tre personave: kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe presidentit Michel”, deklaroi Rama, raporton Klankosova.tv.
Ai tutje tha se dokumentin në fjalë nuk ia ka kërkuar askush, por se e ka bërë me vetëiniciativë, dhe thotë se sipas mendimit të tij, është gjëja më e mirë e mundshme.
“Nuk ma ka kërkuar askush, e kam bërë vet, dhe është një kontribut që unë mendoj se është gjëja më e mirë nga aq sa kam lexuar e dëgjuar e sa kam parë nga të tjerët, mund të ketë edhe më të mira. Por, se si mund të thuhet se pse e bën draft-asociacionin, ç’i duhet atij, ç’punë ka ai... Nuk është dashur fare të konsultohet (qeveria e Kosovës) sepse ai është një draft për një marrëveshje mes dy palësh”, theksoi kryeministri shqiptar.
Tutje, ai tha se me Qeverinë e Kosovës mund të hartojnë një draft për Shqipërinë e Madhe, “por nuk i duhet dreqit”.
“Dhe hajt se po konsultohemi, bëjmë një draft, marrim dhe Çamërinë, Prevezën, shkojmë deri në Qipro, marrim dhe Egjiptin sepse Mehmet Aliun e kemi pasur shqiptar. Këto janë gjëra mund t’i bëjmë me njëri-tjetrin e të kënaqemi, por problemi është për të bërë një marrëveshje mes dy palëve dhe në këtë aspekt unë kam dhënë një kontribut. (Kurti po thotë se po ma dobëson pozicionin, i thotë Adriatik Kelmendi) ...Se kështu po forcohet pozicioni, duke u izoluar nga e tërë bota. Mund dhe të forcohet, nuk e di. Di të them këtë që, mos harroni një gjë sepse shumë shpesh e harrojnë: e shikoni Shqipërinë, ne vërtet jemi dy vëllezër nga të njëjtit prindër, por jemi secili në shtëpinë e vet. Dhe unë nuk e di që një vëlla tek shtëpia ku është me gru e me fëmijë i hyn sherrit me ndonjë komshi, vëllai tjetër shkon dhe i fut flakën gjithë lagjes! Aq më tepër kur ne jemi në një lagje që duam dhe duan edhe të tjerët ta integrojnë të gjithën në Evropë. Dhe mos harroni se Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe funksionin brenda një komuniteti sigurie. Shqipëria duhet të luajë edhe rolin e vet”, u shpreh kryeministri Edi Rama në Rubikon me Adriatik Kelmendin. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/_4PKszh_56o
21:50 - Rama: Albinit i shkruaj në WhatsApp, por rrallë ma kthen (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur sërish rreth raporteve të tij me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Rama tha në Rubikon në Klan Kosova se Kurtit i shkruan edhe në WhatsApp por se ai rrallë ia kthen.
"Unë flas, ai dëgjon por nuk flet", tha Rama.
"Rrallë ma kthen por s'ka lidhje është çështje komunikimi ose vazhdimisht e përsërit mesazhin e tij", theksoi ai.
Kryeministri shqiptar ka kërkuar që të organizohet një konferencë për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.
"Një konferencë për mua, ku mbyllen dhe të mos dalin pa e mbaruar të gjithën", theksoi kryeministri shqiptar në Klan Kosova.
https://www.youtube.com/watch?v=zWfO00DqT4k
______________________________________________________________________________________________________
21:43 - Rama përcjell porosinë e Clintonit për Kosovën, merret shembull situata Izrael-Palestinë (VIDEO)
Kosova ka qenë temë në një darkë që ka pasur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me ish-presidentin e ShBA-së, Bill Clinton që gjatë javës qëndroi për vizitë në Tiranë.
Clinton ka pasur një porosi për Kosovën lidhur me situatën e fundit, e të cilën ia ka kërkuar Ramës që ta përcjellë.
“Në darkë me Clinton, filloi të më pyeste se çfarë po ndodh me situatën dhe për çështjen Planit franko gjerman. Ia shpjegova. Më tha mua, ‘dëgjo, tregoje këtë histori: Ish-presidenti i Palestinës, Yasser Arafat ishte njeriu për të cilin thoshin që është gënjeshtar, që nuk mban fjalën. Me mua… nuk më ka gënjyer kurrë dhe bashkë me Ehud Barakun, ish-kryeministrin e Izraelit, arritëm të bëjmë marrëveshje që ishte më e mira e mundshme që mund të merrnin palestinezët. Në sytë e mi ranë dakord, i dhanë dorën njëri- tjetrit’”.
“Pas pak Arafat e prishi marrëveshjen, ndërkohë Ehud Barak… në Izrael kishte më shumë njerëz që donin ta vrisnin sepse marrëveshja sipas pjesës izraelite ishte skandaloze në favor të palestinezëve. Dhe i them Arafatit nuk më ke gënjyer kurrë dhe më tani në momentin kur ke marrëveshjen më të mirë të mundshme që nuk do ta kesh në tavolinë sa të jesh gjallë… më tha: ‘E di por e kam të pamundur”, ka vazhduar Rama në Rubikon, duke e cituar Clinton.
“Kur ika në Shtëpinë e Bardhë”, ia ka thënë Clinton-Ramës, “e kam marr ne telefon dhe i thashë pse ike në fund. Më tha ‘nuk ta them dot, por ti bëre për Palestinën më shumë se që mund të bëja unë’. Dhe ja ku janë sot, as kanë për ta parë për shumë kohë atë marrëveshje. Çdo marrëveshje që ka ardhur në tavolinë ka qenë më e keqe”.
Këtu Rama ka nxjerr porosinë për kryeministrin Kurti, që sipas tij nuk duhet ta largohet nga Plani franko-gjerman.
“Ke njohjen ‘de facto’ në tavolinë tani, pse i ikën tavolinës? Çka është kjo luftë me bandat kur në tavolinë e ke njohjen ‘de facto’? Bashkësia euroatkanike ka Ukrainën, zgjedhjet në Amerikë. Larg qoftë mund të thotë “e di si është puna, ec nuk merremi me këtë punë”. Kur marrëveshja të ikë nga tavolina atëherë çfarë? Të rroftë ‘Oso Kuka!’”. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/UbC8NxpWbsU
21:33 - Rama: Nuk e kam asnjë problem me Kurtin (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur rreth raporteve të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Rama tha në Rubikon në Klan Kosova se me Kurtin ka raporte shumë të mira personale, por se problemin e ka me qëndrimet e tij si kryeministër.
“Me kryeministrin e Kosovës unë tani kam një divergjencë shumë të madhe, për arsye të këtij izolimi, ose thënë më saktë vetizolimi, një izolim i çuditshëm që po ua imponon forcërisht qëndrimi i Kosovës, aleatëve dhe miqve tanë”, tha Rama.
Ai sot ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Shefi i qeverisë shqiptare nuk është pritur nga homologu i tij kosovar.
Albin Kurti, dje tha se me Edi Ramën, takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive.
Javë më parë, Rama e kishte anuluar pjesëmarrjen në mbledhjen qeveritare Kosovë-Shqipëri për shkak të mosdëgjueshmërisë së Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/f5O0ZxzJOPE
21:26 - Rama: Ende pa përgjigje zyrtare për takimin me Kurtin – shprehja me Kanunin nuk është pa vlerë
Kryeministri i Shqipërisë, në një intervistë ekskluzive në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin Kurti apo jo.
Ai tha se edhe në momentet sa po jepet intervista, kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë.
“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht”.
“Nuk kemi asnjë përgjigje sepse s’kemi pasur mundësi të kemi përgjigje zyrtare. Të gjitha qeveritë e tjera janë përgjigjur sio e kemi bërë ne kërkesën. Edhe tani që flasim s’ka qenë e mundur të kontaktohet kabineti”, tha Rama në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai foli edhe për Kanunin, ku e përdori si shprehje gjatë një interviste në Maqedoni të Veriut sot gjatë ditës.
“Edhe ajo e kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Dhe kur thuhet “miku”, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt”.
“Dhe ti je i detyruar ta hapësh derën dhe ta presësh, pavarësisht se është një prani që t’i nuk e dëshiron dhe në këtë sens, edhe kaq mjafton për të mos krijuar shfaqje të tilla”, tha Rama, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Rama tha se Kurtit i ka bërë aq shumë kërkesa për takimin e sotëm sa “as në rininë time s’i kam shkuar mbrapa një Xhuljete indiferente me aq shumë kërkesa”.
Kurse, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Rama e quajti si “djalë simpatik shumë”, por sipas tij, ai “s’ka lidhje fare me këto tema”.
“Unë e kuptoj që do të thotë fjala “më ka ngelur hatri”, më ka ngelur hatri për mbledhjen e dy qeverive që u anulua, dhe tash si do ia bëjmë. Do ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin që do të bëjmë për kancelarinë në këto vizita dyditore?”, tha Rama. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
21:13 - Kurti s’e pret në takim, Rama: Nuk kam fjalë për ta interpretuar (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i habitur që nuk është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai në Rubikon në Klan Kosova ka thënë se ka provuar që të kishte komunikim me kreun e ekzekutivit kosovar.
“Nuk kam ardhur të shpjegoj, ta interpretoj qëndrimin e Albinit. Gjëja me e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, të flasin, për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme. Duke u takuar mbase e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Kemi komunikuar, në fakt jam përpjekur të komunikoj, por ka qenë ë vështirë”, është shprehur Rama.
“Ka edhe keqkuptim sikur anulimi i mbledhjes së qeverive ka ardhur si rezultat i masave të BE. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Kam kërkuar me insistim nga Albini që të bëjmë një takim të dy bashkë sepse kam dashur t’i përcjell disa shqetësime dhe kam dashur ta lehtësoj pozicionin e Kosovës. Nuk ka qenë i mundur takimi, nuk e di pse. Albini ka qenë shumë i zënë, ka pasë punë të tjera, nuk e di!
“Takimi nuk ka ndodhur. Nuk kam fjalë për ta interpretuar. Çfarë thike është që një mbledhje mes dy qeverish për marrëveshje të dakordësuara të mbahet kur ka gjëra të tjera më me rëndësi. Është e kundërta e thikës. Shtrirja e dorës për të qenë së bashku për ta kuptuar më shumë njëri-tjetrin. Nuk mund të bëhet me ato që dëgjojmë nga televizioni. Ideja që anulimi është thikë, qëndrimi i Kosovës është i duhur dhe gjithë bota e ka gabim. Nuk është kështu”. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/zkAEXs3L7fg
21:13 - Rama: Unë s’kam parti të regjistruar në Kosovë që të merrem me bandat e bizneset
Kryeministri Edi Rama tha se qëndrimi i Shqipërisë karshi Kosovës në situatën e fundit me Serbinë, është në linjë me atë të aleatëve e partnerëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, që tha se janë të përbashkët.
Në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova, Rama, duke iu përgjigjur opinionistit Gazmir Raci se qeveria shqiptare nuk e mbështeti Kosovën në luftën kundër bandave, tha se Shqipëria nuk është një parti politike e regjistruar në Kosovë që të merret me problemet e brendshme të vendit.
“Shqipëria nuk është një parti politike këtu në Kosovë. Unë personalisht nuk kam parti politike të regjistruar këtu në Kosovë. Madje, madje, kur Albini ka ardhur në Shqipëri për të nisur fushatën elektorale me një parti të regjistruar në Shqipëri e cila garonte kundër partisë sime, unë Albinin e prita për drekë. Dhe nuk kemi pas asnjë problem, dhe s’ia kam ngritur si çështje se ‘si vjen ti këtu e bën fushatë kundër meje dhe do takim’. Absolutisht jo. Tani ç’lidhje ka kjo që Shqipëria nuk e ka mbështetur Kosovën për të luftuar bandat, sepse s’e kuptoj. Ne nuk jemi parti politike, jemi shtet, jemi tjetër shtet. Dhe këtu nuk është çështja a duhet... nuk kam dëgjuar asnjë nga aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, që i kemi të përbashkët, që të thotë se Kosova s’duhet të luftojë bandat dhe qeveria e Kosovës nuk duhet të luftojë bandat. Ky është një interpretim shumë i shtrembër i një realiteti që nuk ka të bëjë me bandat. Lufta me bandat është luftë me bandat. Ky realitet është krejt tjetër, ka të bëjë me faktin, dhe kjo është arsyeja e pozicionit tim, që të gjithë aleatët, miqtë dhe partnerët e Kosovës, i kanë vënë Kosovës në tryezë mundësinë për një marrëveshje historike që çliron përfundimisht Kosovën nga zona në hije e mosnjohjeve nga gjysma e botës, dhe nga pesë shtete këtu në BE. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam angazhuar, dhe qeveria jonë jemi angazhuar në këtë proces. Pastaj se çfarë bën qeveria e Kosovës këtu brenda me bandat, me bizneset, me sigurimet shoqërore, kjo nuk është puna jonë”, potencoi Rama. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/sTAzVYRO4rM
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sonte vjen ekskluzivisht si mysafir në emisionin Rubikon me Adriatik Kelmendin.
Ai pritet të flasë mbi situatën politike në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.
Mos e humbisni rastin për ta dëgjuar shefin e ekzekutivit të Shqipërisë, sonte duke filluar në orën 20:45 në Klan Kosova.
klankosova.tv
https://youtu.be/XC5aqu13NPM