Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon dënimin dhe shkarkimin e të gjithë personave të përfshirë në rastin e ndodhur në Spitalin e Pejës, pas raportimeve se një foshnjë e vdekur e mbështjellë me çarçafë ishte futur në rrobalarëse.
Kërkesën në fjalë e ka adresuar Armend Zemaj, i cili gjithashtu ka akuzuar qeverinë për menaxhim të dobët të sektorit të shëndetësisë.
“Rasti i supozuar i ka kaluar të gjitha masat. Duhet të shkarkohen dhe të dënohen të gjithë ata që janë të përfshirë në rast, si dhe ata që e kanë fshehur. Se ka paaftësi në qeverisje në shëndetësi e kemi thënë gjithmonë, mirëpo rasti i foshnjës shkon përtej. Jo shumë ditë nga sot u vra edhe një nënë, që shkoi për të lindur”, tha deputeti Zemaj, raporton transmetuesi publik.
Ish-ministri i Shëndetësisë tha se 300 mjekë e kanë lëshuar vendin këto dy vjetët e fundit dhe kjo, siç tha Zemaj, duhet të jetë shqetësim për të gjithë.
“Kemi më shumë se 300 mjekë që kanë ikur në këto 2 vjet. Vetëm 5% e buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar në shëndetësi”, deklaroi Zemaj në këtë konferencë për media.
●●●
SSHKRIMI NGA
S.K.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.