Prokuroria Themelore në Prishtinë - Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, sot ka realizuar një urdhër kontroll në një lokacion në lagjen "Bajram Bahtiri" në Prishtinë, lidhur me rastin 'Sekiraqa-Capat', ku mbeti i vrarë një person, në shtator 2024, raporton Klankosova.tv.
Si rezultat i bastisjes, është arrestuar një person për veprën penale Vrasjes së rëndë në tentativë dhe për Armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.
Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Kujtojmë se familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë, u përfshinë në këtë incident të armatosur, ku u vra një person dhe pesë të tjerë u plagosën.
Nga familja Sekiraqa, kishte mbetur i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, dhe po ashtu edhe Korab Gashi (vëllai i viktimës), Robert Llumnica dhe Valdrin Ademi. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=IYoE0GM9Rvo&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fklankosova.tv%2F&source_ve_path=MjM4NTE
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.