Renault shpalli zyrtarisht fillimin e procedurave për blerjen e skuadrës Lotus F1, me qëllimin për të krijuar një ekip të ri për sezonin e ardhshëm në Formula 1. Në fakt gjiganti francez i prodhimit të makinave ka qenë në bisedime me ekipin me bazë në Enstone, Oxfordshire prej disa muajsh por pozita e vështira në aspektin financiar e këtij ekipi ndikoi që kohët të kalonin pa finalizuar dot me një marrëveshje mes palëve, sidoqoftë ditën e hënë në një deklaratë për shtyp drejtuesit e Renault shpjeguan se janë hedhur hapat e parë për projektin e krijimit të një ekipi me të njëjtin emër në sportin më të famshëm të automobilizmit.
Skuadra Lotus kishte gjithashtu edhe shqyrtimin e çështjes në Gjykatën e Lartë të Londrës për mospagimin e taksave për një shumë prej 900.000 Stërlinash, me ekipin britanik që po përballet me rrezikun e kalimit nën administrim, gjë që do të kushtonte shkurtimin e plot 400 vendeve pune. Renault që për momentin është partner i ekipit Red Bull po bëhet gati për një ndarje të bujshme nga skuadra austriake dhe drejtuesit më të lartë kanë deklaruar se lëvizja për blerjen e ekipit Lotus përfaqëson ambiciet e tyre për të zgjatur bashkëpunimin 38-vjeçar me Formula 1. Në vitin 2010 Renault shiti pjesën më të madhe të aksioneve që kishte në Formula 1 duke krijuar sezonin pasardhës skuadrën Lotus Renault, ndërsa nga viti 2012 e këtej skuadra garon me emrin Lotus F1.
Aktualisht ekipi Lotus është në pronësi të Grupit Geni Capital, gjithsesi skuadra britanike është përballur me probleme të theksuara financiare, aq sa fundjavën e kaluar në Çmimin e Madh të Japonisë stafi u bllokua në ndërtesën ku ishte sistemuar për shkak të borxheve të papaguara të vitit të kaluar. Pavarësisht gjithë këtyre telasheve që të dy pilotët e këtij ekipi e përfunduan garën e Suzuka-s në zonën e pikëve, me pilotët Romain Grosjean dhe Pastor Maldonado që u renditën respektivisht në vendet shtatë dhe tetë./S.S
●●●
AFSHKRIMI NGA
Arbër Fetahu
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.