Është çështje javësh, kur makinat nuk do të lëvizin e as zënë vend në rrugën “Rexhep Luci”.
Kjo pjesë e kryeqytetit do të ketë fatin e udhës “2 korriku”, pasi do të shtrohet me kalldrëm, e do t’i dedikohet vetëm këmbësorëve. Shndërrimin e saj në shesh e mirëpresin banorët e lagjes “Qendër”.
“Do të rritet siguria për banorët rezident të kësaj rruge dhe qetësia gjithashtu do të jetë në nivel, sepse këtu vijnë shumë vetura të cilat me muzikë jashtëzakonisht të lartë e i pengojnë”, u shpreh Sabedin Hasani, kryetar i Bashkësisë Lokale “Qendra”, raporton Ju Flet Prishtina.
Ai tregon se kanë pasur komunikime me komunarët rreth investimeve, por njëjtë nuk thonë edhe pronarët e lokaleve që gjenden përreth udhës.
Ata pohojnë se s’dinë asgjë për veprimet që do të ndërmerren rreth këtij projekti.
“Nuk është se jemi kundër projekteve zhvillimore të Komunës së Prishtinës, ose transformimit në të mirë të të gjithë qytetarëve, por konsiderojmë gabim mos praninë tonë në diskutimin publik. Nuk e dimë edhe sa kohë mundemi me punu, kur është dita e fundit kur këto shtesat kanë me u rrënu”, deklaroi Naim Ramizi, pronar i kafenesë “Poemë” në rrugën “Rexhep Luci”.
Ramizi potencon se punimet nuk do të duhej të kryheshin gjatë verës, sepse ajo është koha kur kanë më shumë klientë e punë.
E nga Komuna bëjnë të ditur se do të organizohen dëgjime të tjera publike para nisjes së punimeve, pas ankesave që kanë marrë për këtë çështje.
Derisa nënkryetari Alban Zogaj, i tregon edhe investimet që parashihet të kryhen.
“Do të mbyllet për qarkullim të veturave nga pjesa e tunelit e deri tek sheshi ‘Nënë Tereza’. Punimet pritet të nisin në javët në vazhdim, jemi në proces të prokurimit me e zgjedh kompaninë. Rrugës ‘Rexhep Luci’ i ndërrohet dizajni aktual që e ka, nuk lejohen të hyjnë makinat deri tek pjesa e lartme e rrugës, mbillet gjelbërim, vendoset mobileria urbane”, tha Zogaj.
Për këtë projekt janë ndarë rreth 150,000 euro, derisa punët pritet të kryhen brenda dy muajsh pas fillimit. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe iOS
https://youtu.be/G0wwsmzGihY
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.