Lajmet e fundit
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në SHBA, e ka vizituar Universitetin e Norwichit në Vermont.
Gjeneral Rama në emër të Ministrisë së Mbrojtjes ka nënshkruar Marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin e Norwich-it për të bashkëpunuar në fushën e edukimit, hulumtimit shkencor në fushën ushtarake, si dhe garave në mes të kadetëve të këtyre institucioneve. Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Rama e ka falënderuar presidentin e këtij institucioni Richard Schneider për besimin dhe mundësinë e dhënë duke theksuar se ky bashkëpunim do të kontribuojë në avancimin e njohurive dhe përvojave të kadetëve të të dyja institucioneve. Komandanti i FSK-së së bashku me delegacionin e tij kanë vizituar Qendrën Trajnuese për Mbrojtje Kibernetike, ku nga stafi i kësaj qendre janë njoftuar për funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit të saj mësimor. Me një traditë 200-vjeçare, Universiteti i Norwichit-it, i cili njihet edhe si Kolegji Ushtarak i Vermontit, konsiderohet të jetë institucioni ushtarak më i vjetër në SHBA. Qëllimi i këtij kolegji është që të edukojë dhe të trajnojë kadetët e rinj për të qenë liderë të ushtrisë amerikane.
Realizimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi pritet të fillojë në vitin 2020.