Veç dy ditë merr kohë hapja e një biznesi në Kosovë. Kjo dhe lehtësime tjera, sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, janë mundësi fort e mirë për investitorët e jashtëm.
"Kemi legjislacion shumë të avancuar për zona ekonomike, ndërmarrësi dhe inovacion. Kemi alternativa të shkëlqyeshme për të gjithë sektorët e teknologjisë së informacionit dhe kontraktimin e jashtëm, kemi mundësi për të prodhuar", u shpreh Bislimi, njofton Klan Kosova.
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u organizua në Prishtinë, Bislimi thotë se Kosova iu ofron investitorëve potencialë në teknologji, turizëm dimëror, industri minerare e të ushqimit.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, po jep garanci për stabilitet ekonomik të shtetit.
"Fuqi punëtore e re e talentuar, tatime të ulëta dhe financa publike shumë të qëndrueshme, besoj se këta janë përbërësit që ndihmojnë se paku një investitor që të marrë vendim për investim", tha Murati.
Një biznesmen nga Greqia thotë se Ballkani Perëndimor duhet të fokusohet në trajnim të fuqisë punëtore.
"Të rinjtë preferojnë të kenë punë në zyrë e jo të punojnë në mirëmbajtje, se është më pak atraktive, por mirëmbajtja aktualisht përdor teknologjinë më moderne", tha Kosmas Vamvalis nga Asociacioni i Eksportuesve të Greqisë.
Në këtë ngjarje u bë thirrje për qeveritë e rajonit të bashkëpunojnë më shumë me bizneset.
Në periudha të krizës, apo buxheteve të kufizuara, duhet të shfrytëzohet në maksimum kapitali privat. Nuk ka nevojë të shpenzohet buxheti për gjëra që sektori privat është më i pajisur dhe më i interesuar që të financojë", propozoi kështu Matteo Colangeli nga EBRD.
Në samitin e së martës u diskutuan edhe projektet rajonale infrastrukturore dhe tranzicioni në energji të gjelbër.
https://www.youtube.com/watch?v=xAJZZJdXarA
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.