Selektori i Kosovës në futsall Arben Simitçiu ka publikuar listën për dy ndeshjet miqësore ndaj Holandës.
“Dardanët” e futsallit do të grumbullohen për herë të parë me selektorin e ri më 1 prill derisa më 3 prill nisen për në Holandë për t’i zhvilluar këto ndeshje, njofton Klan Kosova.
Simitçiu ka thënë për Klan Kosova se ndeshjet e tilla me kombëtare të forta do t’i shërbejnë ekipit kosovar për eksperiencë në të ardhmen derisa tregoi entuziazëm për fillimin e ndeshjes.
“Jam i gëzuar që na është mundësuar t’i zhvillojmë dy ndeshje me Holandën. Përkundër situatës me pandeminë, për neve është shumë e rëndësishme që ta kemi këtë grumbullim dhe t’i luajmë këto miqësore. Holanda ka një kombëtare të fortë, por për ne do të jetë një eksperiencë shumë e madhe që do të na shërbejë për të ardhmen”.
“Sa i përket listës së lojtarëve mendoj së është përzgjedhje e mirë, pasi kemi bërë një kombinim të mirë me lojtarë të cilët kanë qenë të dëshmuar në futsallin e Kosovës, në dy vitet e fundit. Kam vëzhguar shumë dhe jam interesuar për gjithë lojtaret deri ne detaje para se ta beja përzgjedhjen. Emra të rinj do të kemi edhe në të ardhmen dhe do të hapim rrugë për ta duke i afruar në kombëtare. Me padurim po e pres debutimin tim me kombëtaren dhe besoj se me punën që do ta bëjmë në vazhdimësi rezultatet nuk do të na mungojnë. Falënderoj për angazhim FFK-në që kanë punuar që ne t’i kemi këto ndeshje të rëndësishme”.
Kosova ndeshjet miqësore me Holandën do t’i zhvillojë në qytetin holandez Zeist më 5 dhe 6 prill.

●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.