Banorët e komunës më veriore të Kosovës - Leposaviqit, kanë nisur tashmë të marrin vaksinën anti COVID-19, që arriti nga Serbia.
Serbët e kësaj ane kanë treguar për Klan Kosova se kontingjenti i parë i ilaçit amerikano-gjerman, Pfizer Biontech ka arritur në Leposaviq të premten në orën 1 pas mesditës dhe interesimi për ta marrë atë ka qenë mjaft i madh.
Madje, këta serbë janë të sigurt se në Kosovë kanë ardhur mjaftueshëm vaksina që këta t’i marrin kurdo që iu shfaqet nevoja.
Ndryshe nga Leposaviqi, në Mitrovicën e Veriut nuk janë të hapur për këtë çështje. Infermierët në spitalin e kësaj komune i thanë televizionit se për vaksinat po merret qendra emergjente për trajtimin e COVID-19, derisa në këtë të fundit thonë se nuk janë as në dijeni se ky ilaç ka arritur në Mitrovicën e Veriut.
E krejt të painformuar për këtë çështje ishin edhe institucionet kosovare. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, deklaroi se nuk kanë informacion as në Doganë e as në Policinë Kufitare që vaksinat kanë hyrë në Kosovë, për çka njoftoi se për rastin do të angazhohen organet kompetente.
Pavarësisht kësaj, Serbia me shumë gjasë nuk do të ndalet për ta sjellë edhe kontingjentin e dytë të këtyre vaksinave. Ministri serb i shëndetësisë Zlatibor Loncar i ka thënë portalit Indeksonline se në fillim të janarit atë do ta sjellin edhe për komunitetet tjera në vend.
https://www.youtube.com/watch?v=vL-Y6WZwza4
klankosova.tv
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.