Të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dialogun Kosovës –Serbi nisën turneun e tyre urgjent diplomatik të mërkurën në Prishtinë.
Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, takuan presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, e krerët e opozitës.
Diskutimet kryesisht u bënë mbi atë se si të vihet te një zgjidhje të krizës Kosovë-Serbi, për reciprocitetin me dokumente e planin e heqjes së targave.
“Bashkësia ndërkombëtare është fort e shqetësuar çka pamë në terren më 31 korrik dhe ata presin nga ne pra ndërmjetësuesit si dhe nga lidershipi i Kosovës e Serbisë, që të mos lejojnë që e njëjta të përsëritet prapë më 31 gusht, prandaj ne jemi këtu”,theksoi Lajçak.
Amerikani, ishte më i drejtëpërdrejt kur u pyet se a presin ndonjë përkeqësim pas një jave kur mendohet të hyj në fuqi reciprociteti nga Prishtina zyrtare.
“Që të dy palët na kanë siguruar se ata nuk duan asnjë eskalim dhe nuk duan dhunë më 1 shtator. Ne jemi këtu që të sigurojmë që gjitha ato dëshira të mira e gjithë ai optimizëm të përkthehet në propozime konkrete”,shtoi Escobar.
Emisari i Uashingtonit shtoi se ardhja e tij bashkë me Lajçak, është tregues se BE-ja e ShBA-ja janë bashkë në rrugën e pajtimit të Kosovës e Serbisë, që s’po gjejnë paqe.
“Jam këtu që të përkrah dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përtej kësaj të ndihmoj aktualisht Kosovën e Serbinë që të gjejnë një rrugë përpara rreth gjithë këtyre çështjeve të zorshme. Detajet se si ato do shkojnë përpara është çështje për dialog”,tha zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Të mërkurën paradite, kryeministri Kurti, tha se ishte i dërguari i BE-së, ai që paraqiti një zgjidhje për çështjen e targave që do të ishin neutrale.
Lajçak, s’pranoi të hyj në detaje.
“Kisha një diskutim të gjerë me zotëri kryeministrin dhe zotëri Bislimi dhe do të ishte një gabim nëse unë shkoj në detaje në këtë pikë. Kishim diskutime të rëndësishme dhe ne do vazhdojmë misionin tonë. Ne jemi këtu të sigurojmë se më 1 shtator asgjë e keqe nuk do të ndodh.”
Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar do të shkojnë të enjten në Mitrovicë ku kanë lënë takim me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.
https://www.youtube.com/watch?v=JDYw-geI2eE
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.