Lajmet e fundit

Për shumë qytetarë indianë, një bashkëshort me vizë amerikane H-1B dikur shihej si “biletë drejt një jete të sigurt” jashtë vendit.
Por kjo ëndërr po zbehet, pasi politikat e reja kufizuese të administratës Trump kanë shtuar pasigurinë dhe vështirësitë për emigrantët në SHBA.
Sidhi Sharma, një studente 19-vjeçare nga Haryana, thotë se hoqi dorë nga ideja për t’u martuar me një indian që punon në SHBA. "Gjithmonë kisha ëndërruar të vendosesha në Amerikë pas martesës, por Trump e mbylli atë derë," tha ajo.
Për shkak të ndryshimeve në politikat e emigracionit dhe pasigurisë së krijuar për mbajtësit e vizës H-1B, që shpesh janë profesionistë IT-je ose të fushave teknike, familjet indiane po kthejnë sytë nga vende të tjera si Kanadaja, Britania apo Australia për mundësi më të sigurta për martesë dhe emigrim, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Agjencitë tradicionale të ndërmjetësimit për martesë në Indi thonë se kërkesa për kandidatë me status emigrimi në SHBA ka rënë ndjeshëm që prej vitit 2024, kur administrata Trump nisi të kufizojë numrin dhe rinovimin e vizave H-1B.
Kufizimet e vendosura ndaj emigracionit ligjor, përfshirë procesin e gjatësuar të aplikimit për viza dhe më pak mundësi për qëndrim të përhershëm, kanë ndikuar jo vetëm në planet profesionale të mijëra indianëve në SHBA, por edhe në jetën e tyre personale.