"Ndryshimi", është titulli i filmit që shpërfaq historinë e një të riu që bie pre e një mashtruesi dhe i njëjti është përdorues i substancave narkotike.
Misioni EULEX dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë shfaqur sot në Prishtinë filmin e shkurtër, i cili tregon rrugëtimin rehabilitues të këtij të mituri në konflikt me ligjin.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se edukimi i mirëfilltë që nga mosha e hershme është kusht për rritjen e çdo fëmije.
"Kemi një popullsi të re me të mitur, shumë prej tyre nuk i kanë mundësitë familjare për të zhvilluar talentet e pasionet. Na duhet përkushtim serioz që të integrojmë të miturit. Duhet të angazhohemi në shkolla dhe ku do të ketë aktivitete rekreative. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të miturit. Ministria e Drejtësisë do të bëjë gjithçka që problemet që i kemi t'i adresojmë sa më parë, që të burgosurit të trajtohen me dinjitet dhe pas dënimit të integrohen në shoqëri", tha Haxhiu.
Shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark tha se të miturit që kryejnë vepra penale kanë problem të rikthehen në shoqëri për shkak të stigmës.
Prej vitit 2019 kjo është hera e parë që filmi po publikohet publikisht. Filmi "Ndryshimi" jep një porosi të fuqishme që nuk do t’ju lë indiferent. Të gjithë fëmijët që kryejnë vepra penale, sjelljet e tyre janë pasojë e vështirësive që kalojnë. Të miturit kanë nevojë për vëmendje dhe shërbime cilësore. Konventa e OKB-së e pranon nevojën për sistem të veçantë, ata nuk mund të trajtohen si të tjerët. Burgjet nuk janë vende ku duhet të mbahen të miturit. Shpesh herë të miturit që tentojnë të integrohen, kanë problem për shkak të stigmës që lidhet me kohën që kanë kaluar në institucionet korrektuese", tha ai./KP
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.