Policia e Kosovës ka njoftuar se ka lokalizuar dy posta të shpejta përmes së cilave dyshohet se janë shpërndarë produkte të falsifikuara.
Po ashtu, bëhet e ditur se më pas është identifikuar edhe personi si dhe objekti në Ferizaj, ku produktet janë ripaketuar dhe ambalazhuar.
Me anë të një kumtese për media theksohet se deri te kjo erdhi pasi organet e rendit kishin pranuar një informatë se persona të dyshuar janë duke prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë ilegale produktin “Collagen Peptides 200 gr”, të cilin e shisnin në mënyrë të paligjshme përmes rrjeteve sociale.
"Gjatë operacionit policor janë sekuestruar 10 thasë - paketime prej 6800 gr të mbushur me lëndë të parë, proteine “REALMASS”, e cila pas ripaketimit në pako me të vogla (kuti plastike - imitim) online është shitur si Collagen, 1,500 copë ambalazh plastik, imitim i paketimit origjinal të produktit, 11 pako të gatshme për shitje në treg dhe sasi e konsiderueshme etiketash me mbishkrimin Collagen", ka thënë Policia.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se në magjistralen Prishtinë-Pejë, te selia e njërës nga postat e shpejta, janë gjetur edhe 30 pako të porositura e të gatshme për t’ua dërguar klientëve, kurse në Lipjan, po ashtu te një postë tjetër e shpejtë, janë gjetur dhe konfiskuar tri pako të porositura e të gatshme për t’ua dërguar klientëve.
Policia e Kosovës njoftoi se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe më pas me aktvendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj u lirua në procedurë të rregullt.

●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.