Klan Kosova ka mësuar se U.D i drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, është shkarkuar nga kjo pozitë nga drejtoria e SHSKUK-së, dhe se lajmi i është kumtuar të njëjtit verbalisht të enjten në mëngjes.
Mirëpo Brahimaj për Klanin tha se ende nuk është njoftuar për këtë vendim meqë thotë se nuk ka pranuar ndonjë vendim zyrtar dhe arsyetimin e këtij vendimi.
Klan Kosova mëson se në vendin e tij është caktuar si U.D. Shpejtim Shurdhiqi.
Kujtojmë se ky shkarkim vjen pasi gjatë javës së kaluar ndodhi një rast ku një pacient vdiq pas një operacioni dhjetë orësh nga çarja e aortës.
I gjithë procesi i operimit ishte xhiruar dhe u publikua si operim i suksesshëm nga kirurgu që mori pjesë në operim, Kushtrim Shala.
Tashmë i shkarkuari, ish-drejtori Brahimaj pati deklaruar se kirurgu Shala ishe i papërvojë për këtë operacion ndërkohë që pati bërë të ditur se ishte në pushim në kohën kur ishte kryer operacioni duke hequr përgjegjësinë nga vetja.
“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetentë për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, kishte thënë Brahimaj.
Trupi i pacientit 63-vjeçar, me iniciale E.M. u tërhoq nga spitali nga familjarët e tij për ceremoni të varrimit më 6 janar, rreth 2 orë pas konstatimit të vdekjes.
Vlen të theksohet se familja nuk ka kërkuar që trupi të shkojë në IML për obduksion. Por, ky veprim i familjarëve vjen edhe përkundër që Prokuroria i ka nisur hetimet dhe ka autorizuar policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në lidhje me rastin.
Megjithatë, meqë hetimet kanë filluar, trupi i viktimës edhe mund të zhvarroset për t’iu nënshtruar autopsisë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.