Lajmet e fundit

Sipas profesorit Rugova, zhvillimet më të rëndësishme për shqipen pas unifikimit të alfabetit, janë studimet e studiuesve vendas dhe të huaj, përshkrimet e strukturave dhe të dinamikave të zhvillimit të saj, përmes së cilave e kuptojmë këtë gjuhë.
Ai theksoi se edhe para 114 vjetësh shqiptarët kishin orientime perëndimore, andaj edhe përzgjedhja e një alfabeti të përbashkët të shqipes nuk kishte si të ishte ndryshe, pos me bazë latine.
"Intelektualët shqiptarë të asaj kohe, sikur edhe sot, kishin orientime perëndimore dhe kjo do të manifestohej edhe me zgjedhjen e alfabeteve me bazë latine", shtoi Rugova.
Edhe pse u dokumentua diku rreth shekullit XV, kjo gjuhë indoevropiane është shumë më e vjetër se kaq.
Se shqipja është e lashtë, e dëshmojnë kontaktet me greqishten e vjetër, nga e cila shqipja (atëkohë protoshqipja) huazoi shumë fjalë, gjë që tregon për një fqinjësi në mes të grekëve e paraardhësve të shqiptarëve.
E që shqiptarët nuk ndërruan vend tregojnë edhe kontaktet e shqipes me latinishten, pastaj sllavishten e turqishten.
Shqipja edhe pse e re me shkrim, por e vjetër me ekzistencë, është zhvilluar shumë dhe vazhdon të zhvillohet, falë studimeve të vazhdueshme. /Klankosova.tv