Analisti politik, Pal Shtufi tha se regjimi në Iran është i rrezikshëm për shkak të natyrës së tij politike dhe ideologjike, duke vlerësuar se problemi nuk është vetëm posedimi i armës bërthamore, por se kush e ka atë në dorë.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Shtufi tha se Irani ka ndërtuar për vite me radhë armiqësi të thellë me Izraelin, ndonëse, sipas tij, mes dy vendeve nuk ka pasur konflikt të drejtpërdrejtë historik.
“Lufta ka pasë me ndodhë, fatkeqësi është që e kanë shtyrë kaq shumë. Një regjim teokratik, fanatik, që i del punë me 1700 kilometra larg me Izraelin, pa pasur kurrë konflikt më herët, dhe ky i shkakton problem. Prej aty rritet armiqësia dhe bëhet target për me e fshi Izraelin prej faqes së dheut”, u shpreh Shtufi.
Ai shtoi se Irani e ka dëshmuar rrezikshmërinë e tij edhe përmes zhvillimit të fuqishëm ushtarak dhe afrimit, siç tha, pranë prodhimit të armës bërthamore.
“Regjimi në Iran është i vdekjes, jo i jetës. Pra, nuk është problem të ketë armë bërthamore një shtet, problemi është kush e ka, sepse edhe Pakistani e ka, por nuk e ka verbërinë politike të Iranit”, deklaroi ai.
Sipas Shtufit, rëndësi të madhe strategjike ka edhe Ngushtica e Hormuzit, për të cilën tha se ndodhet në dorën e Iranit, duke ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm energjetikën e vet, por të gjithë rajonit dhe interesat ndërkombëtare.
“Irani e ka në dorë Ngushticën e Hormuzit. Nuk e ka vetëm energjetikën e tij, por të krejt rajonit dhe interesat e të tjerëve kapen menjëherë. Jo që SHBA ose Izraeli ka qejf me luftu, por atë ngushticë dikush duhet me e kontrollu”, tha Shtufi. /Klankosova.tv
●●●
KG
SHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.