Sot në Gjykatën Themelore në Pejë, do të mbahet seanca ndaj policit Argjend Kastrati, i cili akuzohet për aksidentin me fatalitet në Qyshk ku vdiq e reja Zana Gjevukaj.
Ndaj tij, aktakuza ishte ngritur më 11 qershor.
Kështu deklaroi për Klankosova.tv Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.
Nikçi tha se prokurori i shtetit ka ndërmarrë veprime të menjëhershme në drejtim të hetimit të rastit.
Ai tha se zyrtari i Policisë së Kosovës është arrestuar në ditën e ndodhjes së aksidentit dhe brenda 48-orësh është dërguar në arrest shtëpiak me aktvendim të Gjykatës.
Siç bëri të ditur ai, masën e arrestit shtëpiak e ka kërkuar prokurori i shtetit, masë kjo që është në fuqi deri më 1 korrik.
“Prokurori i shtetit e ka trajtuar me prioritet, ku përveç intervistimit të gjitha palëve, sigurimit të provave, ekspertizave, me datë 11.06.2025 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K, për veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1, të Kodit Penale të Republikës së Kosovës”, tha Nikçi në një përgjigje me shkrim për Klankosova.tv.
[caption id="attachment_2612402" align="alignnone" width="640"]
Sot mbahet seanca ndaj policit që akuzohet për aksidentin me fatalitet ku vdiq e reja Zana Gjevukaj[/caption]
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës theksoi se zyrtari policor e ka pranuar fajësinë para prokurorit.
Polici Kastrati, derisa po e drejtonte automjetin e tij në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në Qyshk e goditi me veturë Zana Gjevukajn, të cilës i shkaktoi lëndime të rënda trupore.
Si pasojë e plagëve të rënda, ajo vdiq në QKUK më 4 maj.
Po ashtu në aktakuzë i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues i marrjes së patentë-shoferit.
“I pandehuri A.K, ka pranuar fajësinë para prokurorit të shtetit. Kurse, përveç kërkesës nga prokurori i shtetit që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, ka propozuar t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues marrja e lejes se vozitjes”, tha Nikçi.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.